Maqedoni

Ekonomia në rënie, Andreeva: Situata është alarmante58

Ekonomia në rënie, Andreeva: Situata është alarmante

Ekonomisë i mungojnë para në dorë si kurrë më parë. Biznesmenët shqetësohen se mungesa e ndihmës shtetërore dhe mungesa e vaksinave në vend, do të rezultojë në rritje të numrit të kompanive, që do të deklarojnë falimentim në periudhën e ardhshme.

Situata në ekonomi është jashtëzakonisht alarmante dhe dëshpëruese. Shumë kompani mezi mbijetojnë, vetëm në vitin 2020 ka rreth 3,000 kompani të likuiduara, dhe në shkurt shifrat zyrtare tregojnë se ka 18,000 persona të rinj të papunë që janë nën Agjencinë e Punësimit – deklaroi Aleksandra Andreeva, Lidhja e Odave Ekonomike.

Që nga fillimi i pandemisë, kompanitë kanë marrë pak më shumë se 4,000 kredi pa interes nga Banka e Zhvillimit. Vlera e fondeve, që u injektuan në ekonomi është 44.5 milion euro. Nga Banka për Alsat thonë se këto linja kredie ishin dhe janë të destinuara për më të prekurat, për ndërmarrjet e vogla dhe mikro. Të dhënat tregojnë se mbi 50 për qind e kompanive, që aplikuan për kredi pa interes e morën atë.

Përfitimet që i marrin kompanitë janë të shumta, mbi të gjitha këtu është norma e interesit e cila është 0%. Grejs periudhat për të gjitha linjat e kredive, që i kemi realizuar deri më tani janë nga 6 në 12 muaj, me një periudhë shlyerje nga 24 deri në 36 muaj – thonë nga Banka për Zhvillim.

Kreditë pa interes, që shteti i ofron ekonomisë u kanë ndihmuar kompanive në një farë mase, thotë Andreeva, por ajo beson se është e nevojshme të vazhdohet ndihma shtetërore për rimëkëmbjen e plotë dhe stabilizimin e ekonomisë.

Ekonomia ka nevojë për resurse të shpejta financiare, injeksion të shpejtë financiar, pa shumë kushte kufizuese dhe faktorë, që do t’i ndihmojnë ata t’u rezistojnë këtyre periudhave të ardhshme.” Ne jemi kryesisht kompani mikro dhe të vogla, dhe jemi 98% në sektorin privat, që nuk kanë kapital të akumuluar, me të gjitha rezervat e shteruara – u shpreh Aleksandra Andreeva, LOE.

Biznesmenët janë ende në pritje të ndihmës financiare nga paketa e pestë e masave, që është bllokuar në Kuvend dhe është bllokuar me mijëra amendamente.