Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka nënshkruar vendimin për formimin e Këshillit të ish-Kryetarëve të Kuvendit, një organ që, sipas tij, krijohet për herë të parë në historinë e Kuvendit me qëllim ruajtjen e kujtesës dhe vazhdimësisë institucionale.
Në këtë nismë ka munguar ish kryetari i Kuvendit nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi, transmeton portali Lideri.mk.

“Me kënaqësi të veçantë nënshkrova vendimin për formimin e Këshillit të ish-Kryetarëve të Kuvendit, një organ që po krijohet për herë të parë në historinë e Kuvendit, si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës dhe të vazhdimësisë institucionale.

Me këtë Këshill synojmë që përvoja e akumuluar ndër vite të shndërrohet në një vlerë të dobishme për Kuvendin e sotëm. Ish-Kryetarët e Kuvendit kanë mbartur përgjegjësi të rëndësishme në momente të ndryshme të zhvillimit të demokracisë parlamentare në vendin tonë. Kujtesa institucionale dhe njohja e proceseve parlamentare përbëjnë një pasuri që meriton të ruhet, të dëgjohet dhe të përcillet.

Këshilli i ish-Kryetarëve do të jetë një hapësirë për dialog dhe këshillim, duke respektuar plotësisht mandatin e institucioneve aktuale.

" "

Në takimin e sotëm, së bashku me ish-Kryetarët Tito Petkovski, Nikolla Popovski, Trajko Veljanovski dhe Jovan Mitrevski, i dhamë jetë kësaj nisme, e cila ka marrë mbështetjen edhe nga ish-Kryetarë të tjerë.

Mbetemi të angazhuar të punojmë së bashku për një Kuvend që respekton të kaluarën, forcon të tashmen dhe ndërton të ardhmen”, ka shkruar Gashi.

.

sqShqip