Më shumë se 5.600 persona janë privuar nga liria, janë ngritur 1.135 kallëzime penale dhe policia ka kryer 1.158 kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera, në kuadër të aksionit operativ “Pastruesi”, të cilin Ministria e Punëve të Brendshme e zbaton në të gjithë territorin e shtetit që nga shtatori i vitit 2024.
Aksioni është i orientuar drejt zbulimit dhe luftimit të krimit të dhunshëm, tregtisë së paligjshme me drogë dhe krimit ndërkufitar, si dhe identifikimit dhe zbardhjes së dukurive të ndryshme kriminale dhe shoqërore devijante, transmeton portali Lideri.mk.
Që nga fillimi i aksionit e deri më tani, zyrtarët policorë kanë kontrolluar dhe përcaktuar identitetin e 74.229 personave. Janë kryer gjithashtu 158.955 kontrolle të personave, automjeteve dhe bagazheve.
Në kuadër të masave të ndërmarra, gjithsej 5.628 persona janë privuar nga liria, janë kryer 1.158 kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera, ndërsa janë ngritur 1.135 kallëzime penale.
Nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale, 88 kanë të bëjnë me vepra penale të krimit të dhunshëm, ndërsa 1.047 kallëzime lidhen me tregtinë e paligjshme me drogë.
Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të drogave narkotike, ndër të cilat marihuanë, kokainë, amfetaminë, heroinë, hashash dhe tableta MDMA.
Gjatë kontrolleve dhe aksioneve policore janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu armë, mjete financiare, disa automjete dhe telefona celularë.
Për një pjesë të të dyshuarve, në përputhje me procedurat ligjore dhe vendimet e organeve kompetente, janë caktuar masa paraburgimi, ndërsa në disa raste janë shqiptuar edhe dënime me burgim.
Aksioni ka përfshirë edhe luftimin e kanaleve ndërkombëtare të tregtisë së paligjshme me narkotikë. Policia ka parandaluar disa kanale të tilla, veçanërisht në pikat kufitare Tabanoc, Deve Bair dhe Dojran i Vjetër, transmeton portali Lideri.mk.
Nga MPB-ja vlerësojnë se aktivitetet e realizuara dhe rezultatet e aksionit operativ “Pastruesi” tregojnë përmirësim të efikasitetit dhe efektivitetit të punës zbuluese të zyrtarëve policorë nga të gjithë sektorët e punëve të brendshme dhe qendrat rajonale për punë kufitare.
Aksioni do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. MPB-ja paralajmëron masa dhe aktivitete të koordinuara, ditë aksioni dhe kontrolle të përforcuara në të gjithë territorin e shtetit, me qëllim zbulimin, parandalimin dhe luftimin në kohë të aktiviteteve kriminale që lidhen me krimin e dhunshëm, tregtinë e paligjshme me drogë dhe krimin ndërkufitar./Lideri

