Koroishta po merr një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën arkeologjike të rajonit dhe më gjerë, pas zbulimeve të reja të bëra gjatë kërkimeve të këtij viti në lokalitetin Rasnica, ku sipas të dhënave historike ka jetuar fisi i lashtë ilir Enkelejt.

Zbulimet e fundit konfirmojnë karakterin e lokalitetit si një nekropol i periudhës arkaike, që daton në shekullin VI para erës sonë, duke e renditur atë ndër komplekset më të rëndësishme arkeologjike të zbuluara në vend në këtë periudhë.

Gjatë kërkimeve të vitit 2026 është zbuluar një varrim i pasur ushtarak me pajisje të kompletuara luftarake, ku janë gjetur mburojë, helmetë, shtiza, shpatë, si dhe objekte të tjera prej ari, bronzi, qelibari dhe materialesh të tjera.

Zbulimi i ri është veçanërisht i rëndësishëm sepse ofron të dhëna të reja për ritualet e varrimit, strukturën shoqërore dhe ushtarake, si dhe elitën që ka jetuar në rajonin e Ohrit dhe Strugës gjatë shekullit VI para erës sonë.

" "

Lokaliteti Rasnica tërhoqi vëmendjen e opinionit në vitin 2024, kur u zbulua një kompleks monumental varri me materiale të jashtëzakonshme arkeologjike, përfshirë helmetë bronzi me aplikime ari, mburojë bronzi, objekte dhe stoli prej ari, rruaza qelibari e qelqi, gjilpëra argjendi, kantharos dhe enë bronzi.

Me zbulimet e reja, tashmë konfirmohet se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një nekropol të rëndësishëm arkaik, i cili hap mundësi të reja për kërkime dhe studime të mëtejshme shkencore.

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, e ka cilësuar zbulimin si një ngjarje me rëndësi të veçantë për Strugën dhe trashëgiminë kulturore të saj.

> “Është krenari e madhe për Komunën e Strugës që Koroishta hyn në hartën globale arkeologjike. Ky është një dëshmi e jashtëzakonshme e pasurisë së trashëgimisë sonë dhe një mundësi për ta vendosur Strugën dhe rajonin tonë në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar arkeologjik. Si Komunë, do të kërkojmë mbështetje nga institucionet kompetente që hulumtimet të vazhdojnë në mënyrë profesionale, të koordinuar dhe transparente.”

Sipas ekipit arkeologjik, kërkimet e vazhdueshme në Koroishtë mund të sjellin të dhëna të reja për historinë e rajonit dhe të kontribuojnë në një kuptim më të plotë të zhvillimit të shoqërive që kanë jetuar në këtë hapësirë në antikitet.

sqShqip