Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ndodhet në një vizitë dyditore pune në Bruksel, ku po merr pjesë në takime zyrtare të organizuara nga Komisioni Evropian.
Në takime diskutohet për çështjet aktuale ekonomike dhe politike, realizimin e projekteve infrastrukturore, Planin e Rritjes, si dhe procesin e integrimit dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian.
– Këto dy ditë jam në vizitë në Bruksel, në takime me përfaqësues të Komisionit Evropian, ku do të diskutojmë për politikat aktuale ekonomike dhe infrastrukturore në vend, si dhe për procesin e integrimit dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe, natyrisht, për Planin e Rritjes, ku Maqedonia shënon rezultate të mëdha dhe ku është lider në rajon – deklaroi Nikolloski.
Ai tha se, me ftesë të “Friends of Europe”, do të marrë pjesë në një sesion kryesor ku do të jenë rreth 200 liderë nga Evropa, përfshirë pesë komisionerë, përfaqësues të Komisionit Evropian, më shumë se 20 eurodeputetë, kryeministra, zëvendëskryeministra, ministra dhe përfaqësues të sektorit të biznesit.
Gjatë ditës së nesërme, Nikolloski do të flasë në Samitin për korridoret e transportit, ku së bashku me përfaqësues të lartë të BE-së dhe institucioneve financiare evropiane do të diskutohet për zhvillimin e korridoreve.
– Nesër do të jem gjithashtu pjesë e samitit të transportit, ku së bashku me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, bankë e cila investon shumë në Maqedoni, do të flasim për projektet e mëdha infrastrukturore që ka Maqedonia. Nga Bashkimi Evropian kemi marrë 150 milionë euro grant për ndërtimin e hekurudhës në Korridorin 8 drejt Bullgarisë, ndërsa projekti mbështetet edhe me kredi nga BEI dhe BERZH – tha Nikolloski.
Sipas tij, kjo do të jetë një hyrje në vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, e cila të premten do të vijë në Shkup.
– Gjithashtu, në sesionin e nesërm të “Friends of Europe” do të flasim për procesin e zgjerimit, së bashku me zëvendëskryeministrin e Ukrainës, zëvendëskryeministrin e Moldavisë dhe përfaqësues nga rajoni. Do të diskutojmë për procesin e zgjerimit dhe atë që duhet të bëhet për përparimin e tij – theksoi Nikolloski.
Ai shtoi se është e rëndësishme që vendet anëtare të BE-së të kuptojnë se nuk duhet t’i bllokojnë vendet kandidate.
– Shpresoj se do të ketë mençuri nga Bullgaria dhe se Bullgaria do të bëjë një hap përpara dhe ne do t’i fillojmë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto janë momente të rralla kur kemi mundësi të komunikojmë drejtpërdrejt, formalisht dhe joformalisht, me ata që marrin vendimet në Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye të gjithë do të vazhdojmë të luftojmë për Maqedoninë – përfundoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

