A do të mbahet sot seanca për zgjedhjen e presidentit?
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, paralajmëroi se seanca e jashtëzakonshme ku pritet të bëhet amandamentimi i Ligjit për Zgjedhjet do të nisë në orën 17:00.
Por, edhe tash kur ka kaluar një orë kjo seancë nuk ka nisur. Madje, as deputetët nuk kanë filluar të futen brenda sallës së Kuvendit të Kosovës dhe nuk ka një njoftim zyrtar nga Kryesia e Kuvendit.
Ushtruesja e detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, më herët në një konferencë për media ka thënë se synojnë që ta fusin në rend dite në seancën e sotme ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje që ka për qëllim që t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë të votojnë në ambasadat respektive në vendet ku jetojnë.
Besnik Tahiri ka thënë se për AAK-në është e papranueshme që ky ligj të sillet në Kuvend për amandamentim pa konsultim paraprak me të gjitha partitë politike.
Madje, ai ka deklaruar se kjo flet për autoritarizëm, dominim dhe arrogancë të numrave duke shtuar se Albin Kurti po do që ta kontrabandojë këtë ligj në formën më të pazakontë në histori të paralamentarizimit.
Në rast se Ligji për Zgjedhjet shkon në Kuvend gjatë ditës së sotme fillimisht duhet të marrë votat e nevojshme në lexim të parë, ku deputetët kanë paraprakisht mundësi të debatit parlamentar, dhe më pas i njëjti duhet të kalojë me shumicë votash në katër komisione funksionale.
Vetëm kur të marrë konfirmimin nga këto katër komisione mund të hidhet në votim për lexim të dytë.
Nëse të gjitha këto zhvillime ndodhin gjatë ditës së sotme, atëherë mund të mbahet edhe një seancë tjetër e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit ku tashmë janë dy kandidatura zyrtare: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta (që ka garuar për deputet në listën e Vetëvendosjes, por nuk ka marrë votat e duhura).
Afati për zgjedhjen e presidentit të ri është në prag të skadimit. Një gjë e tillë duhet të bëhet deri më 5 prill, për shkak se ish-presidentit Hashim Thaçi i përfundon mandati pesëvjeçar më 5 maj dhe Kushtetuta thotë se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Megjithatë, akoma nuk ka asnjë informacion zyrtar se kur mund të thirret seanca ku do të votohet për kreun e shtetit.