Rajon - Botë

Bisedohet për mundësinë e rikthimit të SHBA-së në marrëveshjen bërthamore

Bisedohet për mundësinë e rikthimit të SHBA-së në marrëveshjen bërthamore

Irani dhe një grup i fuqive botërore po mbajnë bisedime më 2 prill, lidhur me mundësinë e rikthimit të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të arritur më 2015.
Vendimi për bisedime, që po mbahen në mënyrë virtuale, është mirëpritur nga Uashingtoni, që ka thënë se është i gatshëm të ndërmarrë “hapa të përbashkët” për rikthimin në marrëveshjen bërthamore.

Në këto bisedime po marrin pjesë përfaqësuesit e Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Britanisë dhe Iranit – që të gjitha këto shtete nënshkruese të marrëveshjes – njoftoi Bashkimi Evropian më 1 prill.

“Pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi prospektet për rikthimin e mundshëm të Shteteve të Bashkuara në këtë marrëveshje dhe se si të sigurohemi që marrëveshja të zbatohet nga të gjitha palët”, thuhet në njoftim.

Ky takim virutal po kryesohet nga diplomati i BE-së, Enrique Mora.

Më 1 prill SHBA-ja tha se mirëpret këto bisedime.

“Ne natyrisht se e mirëpresim këtë hap pozitiv”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, duke shtuar se SHBA-ja po diskuton për “hapa të përbashkët” për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2018 kishte për qëllim që të lehtësonte sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit, me qëllim që Teherani të frenonte programin e tij bërthamor. Irani pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

Por, më 2018, SHBA-ja, nën udhëheqjen e Donald Trumpit, u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.

Administrata e re e presidentit amerikan, Joe Biden ka dhënë sinjale se është e gatshme që të rikthehet në marrëveshje, por Uashingtoni insiston që Teherani fillimisht duhet të respektojë zotimet që dalin nga kjo marrëveshje. Pasi SHBA-ja doli nga marrëveshja, Irani nisi që të shkelte zotimet e këtij pakti./REL