Është nënshkruar kontrata për blerjen e 3.300 kontejnerëve të rinj, blerja më e madhe e këtij lloji në vitet e fundit, me të cilën në mënyrë thelbësore do të përmirësojmë sistemin e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet, njoftoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Kontejnerët e rinj nënkuptojnë lagje më të pastra, më pak mbeturina në rrugë, zbrazje në kohë dhe kushte më të mira pune për ekipet e NP „Higjiena Komunale“, shtoi ai.
„Vetëm për krahasim, gjatë 12 viteve të fundit janë blerë rreth 1.300 kontejnerë – një numër i pamjaftueshëm për nevojat e të gjithë Shkupit. Pasojat e kësaj neglizhence i kemi parë të gjithë – kontejnerë të mbushur plot dhe të dëmtuar, mbeturina përreth tyre dhe një pamje të rënduar të qytetit. Por, ne po e ndryshojmë këtë realitet“, theksoi Gjorgjievski.
Ajo që është e rëndësishme të theksohet, shtoi ai, është se kontejnerët që bliheshin më parë nga paraardhësit e tij kushtonin më shumë se 18.000 denarë për copë, ndërsa sot blihen për 9.600 denarë – pothuajse dy herë më lirë, edhe përkundër rritjes globale të çmimeve.
„Kjo është dëshmi se kur punohet me ndershmëri, me kujdes dhe me përgjegjësi, mund të bëhet shumë më tepër me paratë e qytetarëve. Pas automjeteve të reja për NP „Higjiena Komunale“, tani po arrijnë edhe 3.300 kontejnerë të rinj.
Hap pas hapi, po krijojmë një sistem funksional dhe po i japim fund kaosit me mbeturinat. Po e dëgjojmë zërin e qytetarëve, po i zgjidhim problemet e grumbulluara dhe po e ndryshojmë pamjen që na ishte lënë. Koha e neglizhencës po përfundon. Është koha për një Shkup të pastër, të rregullt dhe dinjitoz“, shkroi në Facebook kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

