Ministri i Drejtësisë, Bekim Shasivari, njofton se Qeveria ka dhënë dritën jeshile për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Shtetin e Katarit për bashkëpunim në fushën e punës, me iniciativë të ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Sipas Shasivarit, memorandumi parasheh shkëmbim të përvojave dhe ekspertizës në marrëdhëniet e punës, inspektimin e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe zhvillimin e legjislacionit, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe sigurisë juridike.
Postimi i plotë:
NJË HAP I RI NË BASHKËPUNIMIN ME SHTETIN E KATARIT
Sonte, Qeveria e dha dritën jeshile për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e punës me Shtetin e Katarit, me iniciativë të Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Mr. Besar Durmishi.
Memorandumi hap mundësi për shkëmbimin e përvojave, ekspertizës dhe praktikave të mira në fushën e marrëdhënieve të punës, inspektimit të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe në zhvillimin e legjislacionit.
Veçanërisht e rëndësishme është se bashkëpunimi do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin nacional të të dy shteteve dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kornizës ligjore në fushën e punës.
Si Ministër i Drejtësisë, mbështes çdo iniciativë që kontribuon në legjislacion më të mirë, siguri më të madhe juridike dhe institucione më të fuqishme.
Partneritetet e fuqishme ndërkombëtare janë mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, por edhe për krijimin e zgjidhjeve moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe forcojnë besimin në institucione.
Siguria juridike, sundimi i së drejtës dhe dinjiteti i punës janë themelet e një shoqërie moderne dhe efikase.

