Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka pritur sot një delegacion arbëresh nga Vakarici i Italisë, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo, në vizitën e tyre të parë në Maqedoninë e Veriut. Në takim janë trajtuar edhe çështje që lidhen me komunitetin shqiptar në Shkup, përfshirë emërtimet shqip të rrugëve në Çair dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.
Postimi i plotë i Mexhitit:
Kisha kënaqësinë e veçantë që sot, në Komunën e Çairit, të mirëpres miqtë tanë arbëreshë nga Vakarici, në viziten e tyre të parë në Maqedoninë e Veriut, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo.
Me arbëreshët na lidh një histori e gjatë, gjuha dhe një trashëgimi që ata e kanë ruajtur ndër breza. Sot, këtyre lidhjeve duam t’u japim edhe një dimension të ri, përmes bashkëpunimit mes komunave tona.
Në këtë frymë, folëm për mundësinë e binjakëzimit të Çairit me Vakaricin dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore. Pjesë e bisedës ishin edhe tema me rëndësi për shqiptarët në Shkup, si emrat shqip të rrugëve në Çair dhe Kampusi i Universitetit “Nënë Tereza”, një prej projekteve më të rëndësishme për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në vend.
Besoj se kjo vizitë është një fillim i mirë për një bashkëpunim që do të vazhdojë me iniciativa dhe projekte të përbashkëta mes dy komunave..

