Nga Bashkim Aliu

Vendimi i Këshillit Kantonal të Cyrihut për të ndaluar mbajtjen e shamisë së kokës në shkolla i cili èshtë komunikuar si një masë në emër të barazisë, neutralitetit dhe mbrojtjes së vajzave, përballet me një pyetje konkrete dhe të drejtpërdrejt: çfarë problemi konkret po përpiqet të zgjidhë ky ndalim?

Deri më tani, nuk është treguar se vajzat apo mësueset që mbajnë shami përbëjnë një kërcënim për shkollën publike, për nxënësit apo për parimin e barazisë. Nuk ka nevojë të ndalosh një veshje kur nuk ke një problem konkret që kërkon të zgjidhet. Përkundrazi, një ndalim i përgjithshëm rrezikon të krijojë vetë problemin që pretendon se po zgjidh: përjashtimin e grave dhe vajzave myslimane nga një pjesë e jetës publike.

Për vite me radhë, grave myslimane u është thënë se duhet të arsimohen, të marrin pjesë në shoqëri, të punojnë dhe të integrohen. Por kur një grua myslimane e arsimuar hyn në një klasë si mësuese, ose kur një vajzë dëshiron të ndërtojë të ardhmen e saj profesionale pa hequr dorë nga mënyra e saj e të besuarit, papritur prania e saj bëhet problem. Kjo jep mesazh për ato se mund të jesh pjesë e shoqërisë, por vetëm nëse je e gatshme të veprosh në kundershtim ne ndergjegjen tënde në derën e institucionit.
Kjo nuk mund te pranihet si barazi, pasu arazia nuk arrihet duke i detyruar të gjithë të duken njësoj,, por do të thotë që të gjithë duhet të trajtohen njësoj.

" "

Një mësuese nuk është neutrale sepse nuk mban shami. Ajo është neutrale nëse i trajton nxënësit në mënyrë të barabartë, nëse respekton kurrikulën dhe nëse ushtron profesionin e saj me përgjegjësi.

Një nxënëse nuk është më pak e lirë sepse mban shami. Dhe një vajzë nuk çlirohet automatikisht duke i thënë se çfarë duhet të veshë.

Nëse një nxënëse detyrohet nga familja e saj të mbajë shami, atëherë problemi është detyrimi, jo ekzistenca e shamisë. Nëse një nxënëse diskriminohet për shkak se nuk dëshiron ta mbajë, edhe kjo duhet të trajtohet. Shkolla ka instrumentet për të ndërhyrë në raste konkrete. Pikërisht aty duhet të ndërhyjë: kur ekziston një problem real, jo duke ndëshkuar paraprakisht të gjitha vajzat që mbajnë një veshje të caktuar.

Një shtet që dëshiron të mbrojë lirinë e një vajze nuk duhet t’i thotë: “Ne do të vendosim për ty se çfarë nuk duhet të veshësh.” Kjo nuk është emancipim. Është një formë tjetër e kontrollit mbi trupin e saj ne institucione.

Një tjetër argument i përdorur në mbrojtje të ndalimit është laiciteti dhe neutraliteti i shkollës publike. Por neutraliteti nuk do të thotë zhdukja e çdo shenje fetare nga hapësira publike. Përndryshe, do të duhej të pyesnim pse një kryq i vogël, një kipah, një çallmë apo një simbol tjetër fetar do ta bënte një person automatikisht më pak të aftë për të ushtruar detyrën e tij. Neutraliteti duhet të matet me sjelljen dhe vendimet e institucioneve, jo me pamjen e njerëzve.

Një mësuese mund të mbajë shami dhe njëkohësisht t’i trajtojë të gjithë nxënësit në mënyrë të barabartë. Mund të respektojë programin mësimor, ligjin dhe rregullat e shkollës. Nëse ajo nuk i respekton këto detyrime, atëherë duhet të ketë pasoja — por për shkak të sjelljes së saj, jo për shkak të shamisë.

Të gjykosh neutralitetin nga veshja do të thotë të supozosh se një simbol fetar tregon automatikisht një mungesë objektiviteti. Dhe pikërisht ky është paragjykimi që një shtet neutral duhet të shmangë.

Pse shamia bëhet problem vetëm kur gruaja bëhet e dukshme?

Ndoshta pyetja më shqetësuese është pse debati për shaminë shpesh bëhet kaq i ashpër pikërisht kur gratë myslimane hyjnë në profesione dhe institucione ku ato bëhen të dukshme.

Është më e lehtë të pranosh një grua myslimane kur ajo shihet si dikush që qëndron në periferi të shoqërisë. Problemi fillon kur ajo bëhet mësuese, juriste, gjykatëse, politikane, studiuese apo drejtuese institucioni.

Në këtë kuptim, ndalimi i shamisë nuk është vetëm debat për një copë pëlhure. Është debat për kush ka të drejtë të jetë i dukshëm në shoqërinë zvicerane dhe kush lejohet të përfaqësojë institucionet e saj.

Prandaj është e rëndësishme të mos e romantizojmë as shaminë, por as ta demonizojmë atë.
Nëse një vajzë detyrohet të mbajë shami, duhet mbrojtur ajo. Nëse një vajzë detyrohet ta heqë, duhet mbrojtur edhe ajo. Liria nuk mund të matet me drejtimin në të cilin ushtrohet presioni.

Çfarë mesazhi u dërgojmë vajzave?

Kjo është ndoshta pjesa më e rëndësishme e këtij debati.

Një vajzë myslimane që rritet në Cyrih dhe ëndërron të bëhet mësuese, gjykatëse apo politikane duhet të ndiejë se këto profesione janë po aq të sajat sa të çdo vajze tjetër.

Por një ligj që i thotë se, për ta ushtruar profesionin që dëshiron, duhet të heqë një simbol të rëndësishëm për identitetin e saj fetar, dërgon një mesazh krejt tjetër: “Mund të jesh pjesë e jona, por duke vepruar kundër ndërgjegjes sate.”

Integrimi nuk duhet të nënkuptojë asimilim. Një shoqëri e sigurt në vlerat e veta nuk duhet të ketë frikë nga një vajzë me shami në bankën e shkollës. Përkundrazi, duhet të jetë mjaftueshëm e sigurt për t’i thënë asaj: ti je e barabartë me të tjerët dhe nuk ke nevojë të heqësh dorë nga identiteti yt për ta dëshmuar këtë.

Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse na pëlqen shamia.

Shkolla duhet të hapë dyert, jo t’i mbyllë ato për shkak të një shamie.

sqShqip