Maqedoni

Transportuesit thonë se për 10-15 euro lëshohen autobusët në kufij me karburante shtesë

Sekretari i Këshillit Rajonal për Siguri të Pernikut (qytet në Bullgari), Vasko Pirgov, dje deklaroi se autobusi i aksidentuar nga RMV në autostradën “Struma” të Bullgarisë, në të cilin kanë humbur jetën 46 shtetas të RMV-së “siç duket ka pasur bidona të mbushura me naftë, sipas të gjitha gjasave në sediljet e përparme”.

Nëse hetimi e konstaton këtë version, atëherë është bërë shkelje e rëndë, pasi që kjo është rreptësishtë e ndaluar.

Transportuesit me të cilët ka biseduar “Fokus” thonë se kjo dukuri është e shpeshtë, pasi që çmimi i derivateve në Turqi është më i ulët, gjegjësisht dizeli është 0.75 euro.

Në lidhje me atë se si arrijnë që ta kalojnë kufirin e RMV-së, po edhe kufijtë tjerë të rajonit, transportuesit thonë se kjo bëhet duke i korruptuar doganierët me nga 10 deri në 15 euro.

Në pyetjen nëse kjo është praktikë e shpeshtë që transportuesit e RMV-së të blejnë naftë prej jashtë (në këtë rast prej Turqisë) dhe atë ta bartin në autobusë, njëri prej transportuesve thotë:

“Duke e pasur parasysh se konkurrenca jolojale e bën të vetën, nëpërmjet ofrimit të çmimeve shumë të ulëta të aranzhime të tilla, për shembull një udhëtim i këtillë në treg ofrohet prej 65-79 euro, po! Çmimi i naftës momentalisht në Turqi shitet me çmim prej 0.75 euro, ndoshta dikush prej këtyre transportuesve e bëjnë këtë dhe gjëra të tjera të paligjshme”.

Në lidhje me atë, nëse në thelb kontrabanda e naftës bëhet për nevojat e tyre ose për shitje, transportuesi thotë se sipas të gjitha gjasave bëhet për nevojat e tyre.

Situatë e shpeshtë është që nëpër autobusë të integrohen rezervuarë shtesë, e cila është gjithashtu e paligjshme.

Ndryshe, aksidenti i autobusit të RMV-së në Bullgari ku humbën jetën 46 persona dhe 7 të tjerë janë plagosur, ka tronditur mbarë vendin dhe Evropën. Hetimin po e bën Prokuroria e Bullgarisë, ndërkaq të kyçur janë edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin. Ajo që dihet, sipas udhëtarëve të mbijetuar, është që autobusi fillimisht e ka humbur kontrollin, pastaj është në anën e djathtë të rrugës dhe më pas është ndjerë një shpërthim dhe për shkurt kohë i tëri është djegur.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe 12 fëmijë, por edhe të rinj dhe më të moshuar të cilët kishin qenë në një ekskursion në Turqi me agjencinë turistike “Besa Trans Shkup”.

Për shkak aksidentit tragjik, prej dje janë shpallur tre ditë zie në RMV dhe nga një ditë në Bullgari dhe Kosovë. Telegrame ngushëllimi arrijnë nga katër anët e botës.