Maqedoni

BNR: Nuk ka ndryshim në pozitën bullgare për fillim të negociatave

Nuk ka ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut për inkuadrim në BE, në mbledhjen e djeshme të Këshillit për Punë të Përgjithshme, publikoi BNR, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja.

Vetoja bullgare mbetet, edhe pse, sipas burimeve diplomatike, qëndrimi i ashpër i planifikuar i Bullgarisë, i cili duhej të shprehet para Këshillit, nuk është treguar për shkak të tragjedisë në autostradën Struma.
Përfaqësuesi i përhershëm i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov, së pari shprehu ngushëllime të thella për incidentin në të cilin humbën jetën 45 qytetarë të Maqedonisë dhe theksoi se Maqedonia e Veriut ende nuk i plotëson kriteret për mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare.

Ai ka shtuar se Bullgaria në muajt e fundit ka propozuar një numër të madh të opsioneve për tejkalim të çështjeve të hapura si garancione për të drejtat e njerëzve me vetëdije bullgare, si dhe që Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë obligime konkrete, prej të cilave disa duhet të plotësohen në plan afatshkurtër, ndërsa të tjerat të jenë mes kërkesave në kornizën e ardhshme negociuese. Aleksandrov ka thënë që para se të ndodh kjo nuk mund të pritet përparim.

Sekretari shtetëror slloven për Çështje Evropiane, Gashper Dovzhan, siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, deklaroi se fokus i madh në mbledhjen e sotme është vendosur në kontestin maqedono-bullgar.

“Më gëzon që ka mbështetje të përgjithshme për të gjithë procesin, por ende ka çështje bilaterale, veçanërisht të theksuara nga ana e Bullgarisë. Por shpresoj se deri në fund të kryesimit tonë me BE-në do të arrijmë t’i zgjidhim problemet, ky proces duhet të jetë pozitiv”, deklaroi Dovzhan.