Deputeti i VLEN-it, Zeqirija Tahiri, ka deklaruar se investimet në infrastrukturë dhe shërbime publike po realizohen në të gjitha komunat e vendit, pavarësisht përkatësisë politike të drejtuesve të tyre.
Sipas Tahirit, rrugët, ujësjellësit, kanalizimet, shkollat dhe terrenet sportive janë projekte që u shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe nuk duhet të kenë përkatësi partiake.
Ai bëri të ditur se aktualisht, me mbështetje financiare nga Qeveria, në të gjithë vendin po realizohen rreth 1.200 projekte, me investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, arsim, sport, kulturë, mjedis dhe mbrojtje sociale.
Vetëm përmes dikasterit të Transportit, sipas Tahirit, janë duke u realizuar 814 projekte me vlerë mbi 11 miliardë denarë. Prej tyre, 382 projekte janë përfunduar, ndërsa 432 janë ende në realizim.
Në fushën e mjedisit janë duke u realizuar 183 projekte me vlerë mbi 3 miliardë denarë, ndërsa janë miratuar edhe 55 projekte për shkolla dhe objekte arsimore, 36 projekte sportive, 18 projekte kulturore dhe 10 projekte në fushën e mbrojtjes sociale.
Tahiri veçoi edhe investimet në komunat e drejtuara nga VLEN-i. Në Tetovë janë siguruar mbi 7 milionë euro për 29 projekte infrastrukturore, ndërsa në Çair po investohen mbi 100 milionë denarë për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik në lagjen Dizhon, duke përfshirë 16 rrugë.
Në Haraçinë po realizohen projekte infrastrukturore me vlerë mbi 110 milionë denarë, ndërsa në Bogovinë janë mbështetur tri projekte me rreth 60 milionë denarë për mbrojtjen nga ujërat atmosferike dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në Pirok, Pallçisht të Poshtëm dhe Kamjan.
Në Dibër financohen 26 projekte. Ndër projektet kryesore është bulevardi në lagjen “Venec 2”, me vlerë rreth 530 mijë euro, i cili përfshin rrugë me dy drejtime, kanalizim, trotuare, shteg për biçikleta dhe hapësira të gjelbra.
Në Zhelinë ka përfunduar rruga Debërcë–Çiflik, për të cilën, sipas Tahirit, banorët kanë pritur më shumë se 30 vjet. Investime të tjera po realizohen edhe në Tearcë, Saraj dhe Dollnen.
Deputeti theksoi se investimet nuk janë të kufizuara vetëm në komunat që drejtohen nga VLEN-i, duke nënvizuar se ato po realizohen në të gjithë vendin, pa dallime politike.
“Kështu duhet të funksionojë shteti”, deklaroi Tahiri, duke shtuar se zhvillimi i një shteti varet drejtpërdrejt nga zhvillimi i komunave të tij.
Në fund, ai theksoi se decentralizimi, si një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit, mbetet një nga prioritetet e VLEN-it dhe se cikli aktual i investimeve synon avancimin e mëtejshëm të tij.
“Ky është standardi që po vendosim dhe nga ky standard nuk do të zmbrapsemi”, përfundoi Tahiri.

