Pjesëtarë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Byrosë për Siguri Publike – MPB, mbrëmë vonë kanë zhvilluar një aksion në disa lokacione në Shkup, gjatë të cilit janë kryer bastisje dhe janë arrestuar disa persona, në kuadër të një hetimi për krim të rëndë financiar.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se aksioni është zhvilluar, ndërsa më shumë detaje priten gjatë ditës.

Sipas informacioneve jozyrtare, hetimi lidhet me dyshime për keqpërdorime financiare gjatë arkëtimit të tarifave për regjistrimin e automjeteve. Dyshohet se, përmes falsifikimit të raporteve dhe fletëpagesave, janë fshehur dhe devijuar mjete financiare.

Në rast janë përfshirë persona fizikë dhe juridikë, ndërsa mes të dyshuarve dyshohet se ka edhe të punësuar në institucione dhe ndërmarrje shtetërore. Njëri prej personave, sipas informacioneve jozyrtare, është i punësuar në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.

" "

Aksioni dyshohet se është përshpejtuar pasi njëri prej të dyshuarve kryesorë është përpjekur të largohet nga vendi, pas së cilës organet hetimore kanë nisur realizimin e aksionit.

Informacionet e para bëjnë të ditur se dëmi financiar i shkaktuar vlerësohet në mbi 13 milionë denarë.

Aksioni ende është në vazhdim, ndërsa gjatë ditës priten informacione zyrtare për numrin e personave të arrestuar, përfshirjen e tyre në rast dhe shumën e saktë të dëmit.

sqShqip