Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit mes Komunës së Çairit dhe Universitetit “Nënë Tereza”, me fokus në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, në shkollat e komunës do të zhvillohen ligjërata dhe aktivitete profesionale që synojnë ndërgjegjësimin e nxënësve për kujdesin ndaj shëndetit gjatë periudhës së rritjes.
Fokusi do të jetë te qëndrimi i drejtë i trupit, mbajtja e duhur e çantës shkollore dhe rëndësia e aktivitetit fizik, me qëllim që fëmijët të informohen dhe të kujdesen për shëndetin e tyre që në moshë të hershme.
Mexhiti theksoi se qëllimi i këtij bashkëpunimi është që parandalimi të jetë në qendër të kujdesit shëndetësor, duke ndërhyrë me edukim dhe informim para se të shfaqen problemet.
“Duam që kujdesi të nisë para se të shfaqet problemi. Krahas dijes që marrin në bankat shkollore, fëmijët duhet të mësojnë edhe si të kujdesen për veten dhe shëndetin e tyre gjatë rritjes. Investimi më i mirë në shëndet është ai që bëhet në kohë”, u shpreh Mexhiti, duke e cilësuar këtë memorandum si një hap të rëndësishëm në funksion të mirëqenies së fëmijëve.

