Kreu i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ashpër ndaj, siç shprehet ai, “habisë” së BDI-së për rënien e numrit të nxënësve shqiptarë në shkollat e vendit.
Fazliu akuzon ish-pushtetin se për dy dekada ka keqmenaxhuar dhe politizuar sistemin arsimor, duke e lënë atë pa investimet dhe kushtet e nevojshme.
“20 vite keni punuar për vete. 20 vite keni vjedhur e jeni pasuruar për vete”, shkruan Fazliu, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe shkollat janë mbushur me militantë partiakë, ndërsa nxënësit janë përballur me tekste të vjetruara, të dëmtuara dhe me gabime.
Sipas tij, një tjetër problem i madh ka qenë diskriminimi i fëmijëve shqiptarë në aspektin gjuhësor.
“20 vite vogëlushët shqiptarë i keni diskriminuar, duke i detyruar të mësojnë maqedonishten në emër të bashkëjetesës, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre maqedonas, po në emër të së njëjtës bashkëjetesë, nuk e kanë për obligim të mësojnë asnjë fjalë shqip”, shprehet Fazliu.
Ai kritikon gjithashtu kushtet në shkolla, mungesën e mjeteve moderne dhe investimeve, si dhe përhapjen e bullizmit mes nxënësve.
“Dhe sot, pikërisht ju shprehni ‘habinë’ e madhe se pse paska rënë numri i nxënësve shqiptarë. E çfarë prisnit?”, shkruan Fazliu.
Sipas tij, rënia e numrit të nxënësve shqiptarë është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të ndjekura gjatë 20 viteve të fundit.
“Kur për 20 vite degradoni arsimin, partizoni shkollën, diskriminoni fëmijët dhe i lini shkollat pa kushte, mos u habisni që vendbanimet shqiptare boshatisen. Rënia e numrit të nxënësve shqiptarë është fatura e 20 viteve të pushtetit tuaj”, thekson ai.
Në fund, Fazliu akuzon kundërshtarët politikë se po përpiqen ta shfrytëzojnë edhe këtë problem për përfitime politike.
“Ama ju, edhe nga krimi që u keni bërë këto 20 vjet shqiptarëve, kërkoni të fitoni pikë politike. Sa të ligë!”, përfundon reagimin e tij kreu i Lëvizjes Arbëria.

