Kundër plagjiaturës edhe kur mundohesh t’i fshehësh mirë gjurmët edhe kur merr masat t’i kopsitësh mirë punët!
Viktor Bakillari
Në datën 28 gusht (2021), lexova diçka të veçantë dhe pasi e përktheva, e hodha te faqja e fejsbukut tim.
Një shkrim i shkurtër pa titull.
Me shkronja të mëdha, shkrova: LEXONI PAK NJË MJESHTËR ZVICERAN.
Bëhej fjalë për biçikletën me të mirat dhe të këqijat e saj. (Mund ta lexoni shkrimin te fejsbuku im.)
Kurrë nuk e kisha menduar se do të ishte « shkrim me ndikim », shkrim që gjer sot (19.11) ka rreth 600 pëlqime dhe 210 ndarje.
As vetë autori nuk është në dijeni të këtij suksesi bombastik të shkrimit të tij në gjuhën shqipe.
Kjo më gëzon pa masë.
Bëhet fjalë për një zotëri që, nëse nuk shkruan me pseudonim, është zviceran (thuhet në shqipen pa gabime zviceran, jo zvicerjan) dhe quhet Pitikio Christian.
Shkrimi i shkurtër, siç thamë, është lexuar nga qindra e qindra vetë.
Ajo që kam konstatuar është se ka kriptolexues pafund. Ndoshta numri i atyre që pëlqejnë e komentojnë është maja e ajsbergut.
E them këtë se ndesh shumë njerëz rrugës që më flasin për «budallallëqe» që unë shkruaj në rrjetin social Fejsbuk dhe nuk i kam miq fejsbuku.
Por, mirë e kanë. Lexojnë, sepse edhe unë shkrimet i kam lënë enkas të pacensuruara, mund t’i lexojë cilido që di shqip dhe daç të pëlqejë, daç të urrejë, daç të komentojë, daç të replikojë.
E veçanta e këtij shkrimi është se u ka pëlqyer edhe shqiptarëve tanë në Maqedoni. (Për të qene korrekt, po ia shtoj edhe pjesën prapa: Maqedoni e Veriut).
Madje ka shërbyer edhe si frymëzues për të bërë shkrime e për t’ia përshtatur publikut shqiptar.
Një figurë me profil shumë të lartë, profesoreshë universitare (është vërtet profesore e asociuar në fakultetin e Drejtësisë), kishte shkruar një shkrim enkas për një portal në Maqedoninë e Veriut.
Unë si mik i mjedisit, meqë ky shkrim më ra “në dorë”, e lexova.
Kur ç’të shikoja, mor, lexues i dashur, më dukeshin disa fjali sikur i kisha shkruar e lexuar vetë, veç me pak ndryshime.
E po kjo pikë e zezë, – thashë me vete, gjithë kjo ngjashmëri!
Se si qëndron e vërteta, unë më poshtë po sjell të dyja versionet.
Kam besim në paanshmërinë juaj.
Në shkrimin e z. Pitikio Christian, të përkthyer prej nesh gjejmë këtë pjesë:
“ Një çiklist është katastrofë për ekonominë e vendit: ai nuk ble makina, as nuk huan para për të blerë. Ai nuk paguan kontrata sigurimi. Nuk ble karburant, nuk paguan për kontrollin dhe riparimet e nevojshme të makinës. Nuk paguan për parkim. Nuk shkakton aksidente të rënda. Nuk kërkon autostrada të shumta. Nuk vuan nga mbipesha.
Njerëzit që kanë shëndet të mirë nuk janë shumë të nevojshëm apo të dobishëm për ekonominë. Ata nuk blejnë barna, nuk shkojnë as në spitale, as te mjekët; ata nuk shtojnë asgjë në prodhimin e brendshëm bruto të vendit…”
…
V.O. : Të ecësh është akoma edhe më keq, sepse këmbësorët nuk blejnë as biçikletë.
Tani, i dashur lexues, lëçitni më poshtë se çfarë ka shkruar profesoresha shqiptare universitare e fakultetit të Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Profesoresha e drejtësisë shkruan:
“Çiklistët nuk janë të përshtatshëm për rregullat dhe pritshmëritë e shoqërisë konsumatore. Ata zakonisht nuk blejnë makina të shtrenjta sepse përjetojnë më shumë kënaqësi me lëvizjen e balancuar të biçikletave të tyre. Lëre që nuk blejnë nga dy ose tre makina për familje, çiklistët rrjedhimisht nuk blejnë as polisa sigurimi për ato makina. Rrjedhimisht, ata nuk kanë nevojë të blejnë rregullisht as benzinë, naftë apo gaz e as të paguajnë vazhdimisht për vende parkimi. Çiklistët janë më të shëndetshëm dhe më të shkathët, prandaj blejnë më pak barëra dhe më pak konsumojnë shërbime shëndetësore. Ata poashtu hanë më pak dhe rrallë ndodh që të jenë mbipeshë. Ata nuk e ndotin ambientin dhe në këtë mënyrë kontribuojnë që edhe të tjerët të jenë më të shëndetshëm. Shoqëria konsumatore nuk i do çiklistët sepse ata nuk janë konsumatorë të mirë. Këmbësorët janë ende më të papërshtatshëm për konsumatorizmin, ata nuk blejnë as biçikleta. »
***
Bukuri!
Tani mund të dalë avokati i djallit mund të thotë:
Z. Bakillari, profesoresha e Drejtësisë i di rregullat dhe shkrimin akademik dhe nuk e ka marrë nga ju, por mund ta ketë mbushur vetë ujin më kovë në pus dhe s’ka pasur nevojë t’i hedhë as sytë përkthimit tuaj.
Sakaq, më buron e drejta të mbrohem:
Zoti avokat i djallit, – do t’i thosha,
Së pari, merrni pak informacion a di frëngjisht profesoresha universitare e vetëvlerësuar me nivel B1?
Tjetër:
Nëse profesoresha shqiptare universitare do ta kishte vjelë frutën me “duart e mendjes” në pemishte, atëherë, aq më keq.
Të shkruash një artikull, të jesh me tituj akademikë, të kesh mbaruar Universitetin nr. 1 në Maqedoninë e Veriut, dhe kulmi, të kesh mbaruar për Drejtësi dhe të mbash tituj të lartë akademikë dhe të biesh kaq poshtë duke mos përmendur emrin e atij të cilit i je referuar….d.m.th. s’di se ç’emër t’i vë.
Shënime:
1. Nëse kjo do të kishte ndodhur në Perëndim, të jeni të sigurt se nga nesër, ajo do të dorëzonte titujt e do të humbiste edhe vendin e punës.
Kjo mund të ndodhë edhe në Maqedoninë e Veriut, por larg qoftë, unë, për Zotin, nuk dua në asnjë mënyrë që asaj t’ hyjë ndonjë gjemb, të paktën kësaj radhe.
2. Këtë shkrim e publikova thjesht për t’ju ndërgjegjësuar ju se plagjiatura (vjedhja intelektuale: plagjiatur/ë,-a f. sh. -a(t) libr. paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri sikur është e vetja; vepra e vjedhur në këtë mënyrë. (FGjSh, 2006) është gjë e pakëndshme dhe nuk dua që ta bëj askush të madhe këtë ngjarje. Unë e fal (këtë herë). Do të mjaftohesha që vetëm profesorja ta merrte vesh e të mos e përsëriste.
3. Shkrimi mbyllet me fjalinë: Shkrimi është shkruar enkas për (emri i portalit). Të drejtat e publikimit i kanë vetëm (emri i portalit) dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Pra, nëse unë botoj shkrimin e biçikletës te ky portal, atëherë atij i buron e drejta të më padisë dhe të thotë: E kapëm hajdutin!
Eh, u pa edhe kjo punë! Jetojmë kohë absurde!