Beqir SINA – New York

Ideja e Shtetit Bektashi, sidoqë të jetë, do të lexohet si nihilizëm politik i Ramës

Në periferinë lindore të Tiranës, mbi kompleksin e Kryegjyshatës Botërore, po projektohet një mikroentitet fetar me sipërfaqe rreth 0,11 kilometra katrorë, gati katër herë më i vogël se Vatikani – diçka që do të hynte në librin e rekordeve Guinness.

Kryeministri Edi Rama, e shpalli nismën më 21 shtator 2024 në “The New York Times” dhe një ditë më vonë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke e quajtur qendër të re të moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës.

" "

Kryegjyshi Baba Mondi e mbështeti publikisht, duke thënë se madhësia nuk ka rëndësi: “ne e meritojmë një shtet”.

Sipas “Reuters”, entiteti i propozuar do të kishte administratë, kufij simbolikë dhe pasaporta, por jo ushtri, dogana e gjykata penale të pavarura. Shtetësia do të kufizohej te klerikët dhe personeli, si në Selinë e Shenjtë.

Portali francez “Intelligence Online” shkroi në gusht 2026 se përgatitjet po intensifikohen dhe se përfaqësues jashtë vendit kanë nisur bisedime për dokumente udhëtimi e monedhë të lidhur me arin.

“Euronews” thekson, megjithatë, se kjo mbetet plan i shpallur, jo subjekt i njohur. Duhet ndryshim kushtetues, votë e Kuvendit dhe njohje ndërkombëtare, vend pas vendi.

Krahasimi me Vatikanin është i pjesshëm.

Traktati i Lateranit i 1929-s lindi nga një histori shekullore e Selisë. Urdhri Sovran i Maltës gëzon personalitet ndërkombëtar, por pa territor të vërtetë shtetëror. Në “EJIL: Talk!” juristët vunë në dukje se analogjia “mban vetëm pjesërisht”.

Një studiuesi nga Tirana e ka quajtur nismën “rast të paprecedentë të inxhinierisë fetare bashkëkohore”.

Vetë Rama i tha gazetës amerikane (NYT) se çështja “nuk është prone, por shpirtërore”: qëllimi i deklaruar, një Islam i hapur, jo ekstremizëm.

Këtu lind pyetja që prek Kosovën: A mund ta përdorë Beogradi këtë hap si justifikim për një “enklavë ortodokse” brenda saj?

Në planin juridik, përgjigja nuk është e drejtpërdrejtë. Pasi Entiteti bektashi, nëse lind, do të vinte me pëlqimin e shtetit pritës, mbi selinë ekzistuese të urdhrit, pa pretenduar ndarje territoriale të një popullsie tjetër.

Kosova është rast tjetër dhe lehtësisht mund ta kundërshtojë, pasi ajo tani është e njohur nga mbi 120 vende, me mbi 97–98 për qind banorë shqiptarë, ku Kisha Ortodokse Serbe, ka manastire të mbrojtura nga UNESCO dhe zona mbrojtëse sipas Planit të Ahtisaarit.

Patriarkana e Beogradit ka thënë se nuk merr pjesë në negociata politike për statusin dhe se kërkon respektim të lirisë fetare, pronës e lëvizjes, jo të drejta të veçanta politike.

Por koha dhe historia kanë treguar se precedentët në Ballkan rrallë mbeten vetëm ligjorë.

Presidenti Aleksandar Vuçiç vazhdimisht, edhe në OKB – Këshillin e Sigurimit, e ka përdorur trashëgiminë kishtare si argument sovraniteti.

Andaj nuk është çudi fare nëse Tirana i jep atributet e sovranitetit një komuniteti fetar brenda kryeqytetit, Beogradi mund ta citojë këtë si justifikim retorik për “autonomie të veçantë” rreth Deçanit, Pejës e Graçanicës.

Kjo nuk e bën kërkesën të drejtë ndërkombëtarisht, por e bën më të lehtë për t’u shitur në diplomaci, sidomos tani kur pozita e Vuçiçit është e lëkundur, deri sa shkojë në zgjedhje të reja dhe ai dha dorëheqjen si president i Serbisë.

Prandaj pyetja e vërtetë nuk është vetëm teologjike. Është nëse Shqipëria, duke kërkuar një “Vatikan sufi”, rrezikon të dobësojë parimin që ajo vetë thotë se e mbron Kosovën: “sovraniteti territorial nuk copëtohet me simbole të shenjta”.

Mirëpo unë mendojë se për ta shmangur këtë kurth diplomatik, nisma e Edi Ramës, ka nevojë për kornizë të qartë ligjore, debat parlamentar dhe garanci se nuk bëhet shabllon për ndarje etno-fetare në rajon.

Reagimet brenda dhe jashtë vendit deri tani kanë qenë të përziera.

Bektashinjtë pjesërisht e mirëpritën. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e quajti “precedent të rrezikshëm”; opozita foli për “sulltanat” dhe distraksion nga krizat e brendshme.

Në skenë ka hyrë, ditët e fundit duke e promovuar nga shtypi proqeveritar, edhe Christopher Hyland, amerikan me përvojë në lobimin për Kosovën dhe ish-këshilltar i fushatës së Clintonit, i emëruar i dërguar special i Urdhrit për Amerikën e Veriut.

Rama, nëpërmjet lobit izraelit në SHBA dhe këshilltarëve amerikanë-izraelitë, ka intensifikuar lidhjet e tij personale me Izraelin.

Më 25–27 janar 2026 ai zhvilloi vizitë pune atje, me fjalim në seancë të posaçme të Knessetit, ku tha: “Unë jam katolik, gruaja myslimane dhe djali i vogël mund të bëhet hebre.”

Në Nju Jork ai takohet rregullisht, hapur apo fshehurazi, me përfaqësues të komunitetit dhe lobit izraelit sa herë që vjen këtu.

Por duhet pohuar se nuk ka prova të verifikuara se projekti i tij për Shtetin Bektashi drejtohet nga “lobi çifut” në SHBA.

Nga të dhënat e deritanishme, nisma mbetet kryesisht e vetë kryeministrit Edi Rama dhe e udhëheqjes bektashiane, e përdorur si soft-power diplomatik.

Soft-power-i, megjithatë, ka kosto të madhe dhe historike në Ballkan.

Simbolet fetare nuk rrinë kurrë vetëm në xhami, kishë a teqe. Ato hyjnë shpejt në hartë.

Ideja e Shtetit Bektashi, sidoqë të jetë, do të lexohet si nihilizëm politik i Ramës. Duke shpërbërë parimin e sovranitetit territorial me një mikroentitet fetar, ai rrezikon të zbrazë kuptimin e shtetit që vetë mbron për Kosovën.

Që për mendimin tim duket se nuk është vetëm soft-power; kjo është lojë me simbole që minon kufijtë e të njëjtit sistem që pretendohet se ruhet.

Në këtë rast nihilismi i tillë dobëson mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Pikërisht kur Tirana e trajton territorin si material fleksibël për simbole fetare, Beogradi, e shfrytëzon si argument për enklava ortodokse rreth Deçanit, Pejës e Graçanicës.

Me idenë e Shtetit Bektashi në Tiranë, parimi që “kufiri nuk copëtohet” humbet fuqinë morale dhe diplomatike.

sqShqip