Banorët e Straçincës me dekada ankohen për problemet me ujin e pijshëm dhe kanalizimet
Fshati Straçincë i komunë së Gazi Babës tashmë pesë dekada ballafaqohet me mungesë të ujit dhe kanalizimit. Për këtë të fundit, kryetari i ri Gazi Babës, Boban Stefkovski shpalosi projektin dhe nisjen e punimeve ndërtimore. Banorët e fshatit pavarësisht se mirëpritën këtë projekt shprehen skeptik për realizimin dhe përfundimin e tij.
“Tashmë 50 vjet pa kanalizim e asgjë hiç. Ujin nuk e përmendi askush. Me ujin kemi problem. S’ka ujë, verës nuk ka aspak ujë. Edhe ajo sikur është në projekt të bëhet, ndoshta bëhet pas 50 ose 100 vjetësh”.
“Kjo është mirë, diçka dëshirojnë të punojnë, ja filluan por realizimi nuk e di a do të bëhet nuk e dimë. Problem kemi, uji vazhdimisht del prej toke, më mirë është kur është thatë, je më i sigurt”
“Kanalizimin e kemi shumë të nevojshëm. Por edhe ujë nuk kemi, tash kur ftohet moti ka pak më mirë mirëpo verës nuk ka. Sikur ta bëjnë edhe ujin mirë do të ishte”
Sipas kreut të Gazi Babës, ndërtimi i rrjetit të kanalizimit fekal pritet të realizohet në tre faza.
“Ky projekt përfshinë tre pjesë, pjesa 1,2 dhe 3 në fazën e parë në gjatësi të përgjithshme prej 710 m2. Pas më shumë se 50 vjet, në këtë vendbanim fillojmë me ndërtimin e këtij projekti kapital për kanalizimin fekal. Ky projekt do të realizohet në disa faza. Fazën e parë parashikojmë ta përfundojmë në afat prej 3 muajsh”- deklaroi Boban Stefkovski, kryetar i komunës Gazi Babë.
Sipas Stefkovskit, investimi për këtë projekt kap shumën 5 milionë e 173 mijë denarë, mjete nga buxheti I komunës Gazi Babë.