Maqedoni

Rexhepi: U strehova me vullnetin tim, nuk kam marrë as para e as nuk jam kërcënuar

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Kastriot Rexhepi, sot është deklaruar në lidhje me qëndrimin e tij për të mos votuar rrëzimin e Qeverisë.

Ai tha se ditën e mbajtjes së seancës, është strehuar me vullnet të lirë, në mënyrë që siç tha, vendi mos ta lëshojë mundësinë për rrugën e euro-integrimeve.

Rexhepi tha se për vendimin e tij, nuk ka qenë as i kërcënuar e as nuk ka marrë para, duke shtuar se “nuk i duhen para për anëtarësim në NATO dhe BE”, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Uroj qytetarët që vendi edhe një herë zgjodhi rrugën perëndimore. Jam i qetë me vetëdije të pastër dhe jam i sigurt se nuk ka vlerë më të madhe se vendin ta dërgosh në rrugën drejt BE-së. Si aleat e SHBA-ve për interesat e vendit dhe popullit, me vullnetin tim u strehova në ditën e votëbesimit të Qeverisë, me bindjen që pas zgjedhjeve lokale, vendi të mos shkojë prapa. E dija se do të kishte presion ndaj meje nëse do të isha në sallë. Rezultati do të ishte i njëjtë, por do të kishte sulme ndaj meje”.

“Nuk kam qenë i kidnapuar e as i shitur. Nuk duhet të më dhurohen para për në NATO dhe BE. Kur ata të thonë se RMV e ka rastin e papërsëritshëm për të filluar rrugën për euro-integrimet, zemra më tha se duhet të veprojë në dobi të ardhmërisë. Besoj se ditët e ardhshme do të veprojë arsyeja dhe besoj se do të ketë ura, për problemet e përditshme të qytetarëve, siç janë pandemia, kriza energjetike dhe sigurisht rruga për në BE”, tha mes tjerash Rexhepi./Telegrafi/