Radev: Nuk varet nga Bullgaria, por nga vetë RMV-ja nëse do të fillojë negociatat me BE-në
Presidenti bullgar dhe kandidati për mandatin e dytë në zgjedhjet e sotme tha se çelësi për fillimin e negociatave është “respektimi i të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë, çrrënjosja e gjuhës së urrejtjes, ndërprerja e përpjekjeve për të shkatërruar sistematikisht trashëgiminë kulturore dhe historike të Bullgarisë”, shkruan 360 shkallë.
Radev tha se fillimi i negociatave nuk do të varet nga qeveria e re e ardhshme dhe parlamenti i ri, por nga vetë Maqedonia e Veriut, e cila duhet të marrë masat e duhura.
“Jam i bindur se vetëm me një dialog të hapur mes Sofjes dhe Shkupit do të ndërtojmë marrëdhënie të sinqerta miqësore që presin njerëzit në të dy anët e kufirit.” tha Radev.
Nga dita e nesërme, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të realizojë vizitë pune dy ditore në Bruksel. Në kuadër të takimit ministror, Osmani do të ketë takim bilateral të ndarë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetllan Stoev.
Pikë kryesore e bisedimeve do të jetë dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet rajonale dhe aktualitetet politike në vend. Në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, Osmani pritet që të japë intervistë për ueb faqen e Brukselit “EU Observer” dhe për “Agency Europe”.