May 14, 2024
Maqedoni

Me “metoda të UDB-së” rruga Mavrovë-Dibër bllokohet pa paralajmërim në ditë zgjedhjesh?! (Video)

Rruga Mavrovë-Dibër është bllokuar. Kjo ndodh sot në ditë zgjedhjesh lokale në Dibër.

Kryerësit e punimeve në rrugë na thanë se bllokimi do të zgjasë deri në orën 16, por në njoftimin e mesditës të Lidhjes Automote të Maqedonisë (LAMM) për gjendjen e rrugëve nuk shkruhet se kjo rrugë është e bllokuar, por vetëm bëjnë apel që në aksin Mavrovë-Dibër të vozitet me kujdes duke respektuar shenjat rrugore.

Në autokolonën në të cilën ndodhej edhe ekipi i TV21 kishte shumë votues dibranë që jetojnë në qytete të tjera por ende votojnë në Dibër.

Arsyetimi për të mos kaluar, siç iu tha ekipit të TV21, është se në rrugë ka makineri 4 metra të gjerë, që e pamundëson kalimin e makinave. Pas disa debatesh, policia lejoi të kalojnë qytetarët që në letërnjoftime ende si vendbanim e kishin Dibrën. Edhe ekipi i TV21 po ashtu u lejua të kalojë, megjithatë gjatë rrugës nuk hasëm asnjë makineri që të ketë zënë gjithë rrugën sa për ta bërë të pakalueshme.

Disa qytetarë kanë thënë për gazetarët e mediave lokale se këto janë “metoda të UDB-së për të penguar dibranët nga Shkupi të votojnë në vendlindjen e tyre”.