Çka pas dështimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së RMV-së?
Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka mbijetuar nismës së opozitës për mocionin e mosbesimit. Kjo pasoi mungesën e 61 votave të deputetëve të opozitës për të siguruar së pari kuorumin për hapjen e debatit, dhe pastaj edhe votimin e mocionit të mosbesimit.
Derisa e gjithë opozita ishte e bindur në sigurimin e votave, deputeti Kastriot Rexhepi nga radhët e subjektit politik Lëvizja BESA, në rrethana të dyshimta, sipas bashkëpartiakëve dhe deputetëve të tjerë opozitarë që kishin iniciuar mosbesimin e qeverisë, nuk u paraqit në seancë, por zgjodhi të publikonte një status dhe pastaj edhe një video në rrjetin social Facebook, ku theksonte se kishte zgjedhur rrugëtimin euro-atlantik, dhe jo një iniciativë të tillë opozitare, që e konsideronte si antishqiptare dhe antiperëndimore.
Pozita dhe opozita me numra të njëjtë në kuvend
Situata në Kuvend shfaqi shifra të reja rreth përbërjes së institucionit ligjvënës, duke e lënë kuvendin në numrat 60 me 60, ku as opozita dhe as mazhoranca e mbijetuar nuk mund të ndërmarrin hapa të mëtejmë, që nënkupton bllokimin e punës së legjislativit.
Në këto rrethana, kuvendi nuk do të mund të mbajë asnjë seancë të vetme, nëse partitë qeverisëse nuk arrijnë të sigurojnë të paktën edhe një votë të deputetit për të siguruara kuorumin për hapjen e seancave të kuvendit.
Në rast se nuk arrihet sigurimi i shumicës, vendi do të përballet me krizë edhe më të thellë jo vetëm politike, por edhe ekonomike pasi nuk do të mund të kalojnë shumë ligje të rëndësishme, si miratimi i buxhetit, por edhe shumë ligje tjera që janë pjesë e programit të punës së qeverisë, si dhe ndihma tjera që parashihen për përballje me krizën energjetike dhe pandeminë me koronavirusin.
Dalja nga kriza shihet në zgjedhjet e parakohshme
Pas dështimit të mocionit të mosbesimit, partitë e opozitës, bazuar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në 90 ditët e ardhshme nuk kanë të drejtë të paraqesin nismë të re për mocion mosbesimi. Qeveria mund të bie nëse kryeministri kërkon mocion të votëbesimit, në rast se konstaton se kuvendi nuk po arrin të miratojë ligjet.
Zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje për dalje nga kriza i sheh VMRO DPMNE-ja e opozitës, ndërsa kërkesën e paraqiti të enjten në mbrëmje pasi u largua nga kuvendi pas dështimit të mocionit. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, tha se Maqedonia e Veriut të enjten ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës, por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.
Ai tha se Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë, andaj, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. Partitë qeverisëse, sipas tij, kanë humbur pushteti meqë siç tha, ato kanë 59 deputetë, 60 opozita dhe një deputet mbetet i rrëmbyer.
“Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti ka humbur shumicën, ka vetëm 59 deputetë, një e kemi të rrëmbyer, e të cilin besojmë se do ta lirojnë tani pas largimit tonë nga kuvendi apo do të presin që këtë ta bëjnë pas mesnate kur skadon afati i mocionit”, ka deklaruar Nikollovski.
Aleanca për Shqiptarët në reagimin pas mbylljes së seancës tha gjithashtu se zgjedhjet janë zgjidhje për dalje nga gjendja e krijuar, por se ato, sipas opozitës shqiptare, nuk mund t’i organizojë qeveria aktuale.