Sot është regjistruar numri më i madh i zjarreve aktive që nga fillimi i verës. Deri në orën 17:00 janë evidentuar gjithsej 21 zjarre aktive në territorin e vendit.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, përmes një reagimi ka bërë të ditur se të gjitha institucionet dhe shërbimet e angazhuara në terren janë në koordinim të vazhdueshëm për përballimin e situatës.

“Qendra për Menaxhim me Kriza është në koordinim maksimal dhe të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe shërbimet e angazhuara në terren. Të gjitha kapacitetet në dispozicion janë mobilizuar dhe ekipet janë duke punuar intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve”, ka deklaruar Ali.

Ai thekson se situata po monitorohet në vazhdimësi, ndërsa koordinimi ndërinstitucional po zhvillohet pa ndërprerje, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, si dhe pronës dhe mjedisit.

" "

Ali ka apeluar te qytetarët për kujdes maksimal dhe ka kërkuar që të shmanget ndezja e zjarreve në ambiente të hapura.

“Çdo paraqitje e tymit apo zjarrit duhet të raportohet menjëherë në numrin 112”, apeloi drejtori i QMK-së, duke nënvizuar se në këto kushte përgjegjësia dhe kujdesi i secilit qytetar janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

sqShqip