Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka zyrtarizuar kandidaturën e Arkin Jahijit për Kryetar të Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet lokale.
Nga BDI thonë se kandidatura e Jahijit përfaqëson përgjegjësi, unitet dhe një vizion të qartë për zhvillimin e komunës, duke e cilësuar atë si një kandidat që synon të jetë në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Me Arkinin synojmë një Bërvenicë më të zhvilluar, më dinjitoze, me administratë në shërbim të qytetarëve, investime konkrete dhe mundësi të barabarta për çdo vendbanim dhe çdo qytetar”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Sipas partisë, fokusi i kandidaturës do të jetë në përmirësimin e shërbimeve publike, realizimin e investimeve konkrete dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë banorët e komunës.
BDI vlerëson se Bërvenica ka potencial të madh zhvillimor dhe se komunës i nevojitet një udhëheqje që njeh nga afër nevojat e qytetarëve dhe punon çdo ditë për zgjidhjen e tyre.
“Arkin Jahiji do të jetë zëri i çdo qytetari dhe partner i secilit që dëshiron të kontribuojë për zhvillimin dhe mirëqenien e komunës”, theksojnë nga BDI.
Me zyrtarizimin e Jahijit, gara për kreun e Komunës së Bërvenicës pritet të marrë një tjetër dinamikë, ndërsa BDI synon të mobilizojë elektoratin për një rezultat të fuqishëm në zgjedhjet lokale.

