Maqedoni

Kasami kërkon nga policia të del me komunikatë zyrtare në lidhje me Kastriot Rexhepin

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sërish u bëri thirrje organeve të rendit që të tregojnë zyrtarisht se e dinë se ku ndodhet deputeti dhe se ai është i sigurt bashkërisht me familjet e tij.

“Momentalisht nuk është i rëndësishëm qëndrimi i tij politik, nuk është e rëndësishme në cilën anë qëndron ai, Lëvizja Besa ka qëndrim të qartë se kjo qeveri duhet të bie”, tha Kasami.

Ai shtoi se organet kompetente duhet të tregojnë se deptueti Kastriot Rexhepi është i sigurt bashkë me familjen e tij dhe se gjithçka tjetër nuk ka rëndësi.

“Jemi të bindur se kjo video është bërë nën trysni për shkak se është bërë në momentin kur unë shkoj në polici ta paraqes dhe nëse deputeti ka qenë i lirë është dashur të njoftojë organet dhe policia mua të më njoftojë se e dinë ku ndodhet deputeti. Në situatën kur unë shkoj bashkë me anëtarët familjarë ta paraqes për të humbur, del kjo video. Prandaj ne dyshojmë se e gjithë kjo situatë është e inskenuar nga pushteti”, tha Kasami.

Ai theksoi se deputeti Rexhepi ka nënshkruar për mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe në momentin kur duhet të votojë ai befas zhduket.

“Ai ka dhënë nënshkrim, ka shkruar në Facebook se kjo qeveri duhet të bie”, tha Kasami duke shtuar se ai është në komunikim të drejtpërdrejtë me bashkësinë ndërkombëtare.

Në fund Kasami sërish kërkoi nga policia që për Kastriot Rexhepin i cili është paraqitur si i humbur të dalin me komunikim zyrtar dhe se garantojnë sigurinë e tij.