‘Fjalë kundër heshtjes’ është titulli i librit që doli para ca kohe nga shtypi në shtypshkronjën ‘Focus Print’ në Shkup. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të Lideri-t me ish ministrin e financave, aktivistin dhe kritikun e palodhur, Xhevdet Hajredini. Libri përmbledh postimet dhe kritikat e guximshme të Hajredinit ndaj devijimeve të përditshme jo vetëm politike, por edhe të sferave tjera shoqërore.
Natyrën e përmbajtjes së librit zaten e reflekton edhe vetë titulli ‘Fjalë kundër heshtjes’, shoqëruar me fusnotën ‘Reflektime dhe kritika në kohëra të mjegullta politike’. Dhe me të vërtetë, bëhet fjalë për reflektime ndaj dukurive në kohëra tejet të mjegullta politike, kur Maqedonia e Veriut kaloi në periudhë mjaft të rëndësishme të historisë së saj.
Hajredini nuk kufizohet vetëm në zhvillimet në Maqedoni, por herë pas here reflekton edhe mbi zhvillime të rëndësishme në rajon dhe më gjerë. Ky libër është në fakt vazhdimësi e librit të parë me titull ‘Poenta, kolumna, intervista’, botuar nga Civil Media.
‘Të gjitha postimet e mia të publikuara në faqen time në Facebook që nga fillimi i 2019 deri në fund të vitit 2025, bashkë me disa artikuj dhe intervista të botuara në gazeta, televizione dhe portale, i kam botuar në dy libra. E para, me titull POENTA, KOLUMNA, INTERVISTA, me 518 faqe dhe e dyta me titull FJALË KUNDËR HESHTJES, me 643 faqe. Përmbajtja e të dy librave është pasqyrë dhe shprehje e shqetësimit tim intelektual lidhur me gjendjen dhe ecuritë në ekonomi, politikë, marrëdhëniet ndëretnike, pozitën e shqiptarëve në Maqedoni para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit.
Vend i posaçëm i kushtohet edhe partive politike shqiptare dhe liderëve të tyre, me theks të veçantë ndaj krimit dhe korrupsionit në radhët e profilit më të lart të funksionarëve në pushtet.
Dëshiroj me këtë rast, falënderim dhe mirënjohje të veçantë për kontributin e tyre, t’ju shpreh botuesit të librave, gazetarit dhe pronarit të portalit LIDERI, Isen Saliu, si dhe profesorit dr. Avzi Mustafa’, shprehet me këtë rast autori Xhevdet Hajredini. Libri përmban edhe vlerësimet e gazetarëve dhe intelektualëve të njohur shqiptarë dhe maqedonas, lidhur me punën e palodhshme të ish ministrit Xhevdet Hajredini. Të gjithë ata theksin e vendosit tek guximi për të kritikuar edhe në kohëra kur më mirë dhe më fitimprurëse është të heshtet.
Përveç shumë miqëve të tjerë botimi i librit u mbështet edhe nga Banka Komerciale-Shkup.

