Maqedoni

Vetëm gjashtë muaj burg për Zoran Milevskin, për aksidentin afër Mavrovës ku humbi jetën një person

Me gjashtë muaj burg është dënuar Zoran Milevski – Kiçec, për aksidentin që e shkaktoi në afërsi të Mavrovës, në të cilin humbi jetën një person.

Siç mëson A1on, përcjell Telegrafi Maqedoni, Prokuroria ka konstatuar se Kiçec gjatë drejtimit të makinës ka dalë në korsinë e kundërt në vijë të plotë dhe e ka shkaktuar aksidentin.

Kiçec e ka pranuar fajin dhe ka shprehur keqardhje, ndërsa pranimi i fajit është përdorur si rrethanë lehtësuese nga gjykata, dhe është dënuar me gjashtë muaj burg.

“Nga rezultatet e analizave, ka dalë se i dyshuari në momentin kritik nuk ka pasur shenja të alkoolit në gjak dhe urinë, dhe nuk e ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar në rrugë. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e konfirmuara, prokurori publik kompetent ka konstatuar se i dyshuari e ka kryer veprën nga neglizhenca dhe se në rastin konkret janë përmbushur elementet për veprën penale – vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve në komunikacion”, thonë nga Prokuroria.

Më herët, Milevski ka kërkuar dënim me kusht me marrëveshje, por nuk i është pranuar.

Rikujtojmë që gjatë kohës kur Milevski e ka shkaktuar aksidentin, ai është dashur të jetë në arrest shtëpiak.

Ndryshe, ai është në proces gjyqësor dhe i akuzuar në rastin “Haraçi”.