Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me shpalljen “non grata” nga Shqipëria të dy qytetarëve nga Çairi, duke e cilësuar këtë si një çështje të ndjeshme që kërkon mirëkuptim nga të dyja palët, përcjell Zyrtare.
Osmani thekson se Shqipëria është një shtet sovran dhe se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta respektojnë sovranitetin e saj, duke shmangur përfshirjen në përplasjet e brendshme politike të vendit.
Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se edhe Shqipëria duhet të kuptojë lidhjen e veçantë emocionale që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë me shtetin shqiptar.
“Për shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria nuk përjetohet si një shtet i huaj. E shohin si shtetin e kombit të tyre. Interesohen për të dhe reagojnë për atë që ndodh atje”, shkruan Osmani.
Sipas tij, nëse vendimi ka ardhur si pasojë e moskuptimit të këtyre dy realiteteve, atëherë ekziston hapësirë që çështja të sqarohet dhe vendimi të rishikohet.
Në përfundim, Osmani apelon që Shqipëria të mbetet “një derë e hapur për shqiptarët kudo që jetojnë”, ndërsa shqiptarët jashtë kufijve të saj ta respektojnë Shqipërinë si shtet.
Para pak ditësh Shqipëria shpalli non grata analistin Valon Bela dhe imamin Bekir Halimi./ Zyrtare

