Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka dhënë detaje nga takimi që zhvilloi me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes.
Sipas Ahmetit, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Ai bëri të ditur se e falënderoi Varnes për angazhimin e saj dhe kontributin në forcimin e partneritetit mes dy vendeve, ndërsa vlerësoi rolin e SHBA-së si partner strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe faktor të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ahmeti theksoi gjithashtu se gjatë bisedës rikonfirmoi përkushtimin për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.
Sipas tij, dialogu i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm për forcimin e institucioneve demokratike dhe ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës me të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Takimi ka rikthyer shpresat tek simpatizuesit e BDI-së për rikthim në pushtet.

