Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila kaloi si deputete e pavarur, ka ngritur dyshime të forta diplomatike dhe kombëtare lidhur me negociatat e fundit mes ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, dhe homologut të tij serb, Marko Gjuriç. Përmes një analize të detajuar, deputetja e Shkodrës vë në dukje mungesën e çdo arsyetimi demografik apo praktik për një hap të tillë, duke akuzuar diplomacinë shqiptare për dritëshkurtësi dhe politika të buta ndaj Beogradit.
“Në njoftimin zyrtar të Ambasadës Shqiptare në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka asnji referencë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme”, shkruan ndër të tjera “Neomalsorja” në rrjetet sociale.
Madje Koçeku sjell edhe statistika në lidhje me qytetarët serbë që jetojnë në Shkodër.
“Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë, ndërsa 106 janë të deklaruem si malazezë. Po ashtu, 90 janë të deklaruem boshnjakë, 20 maqedonas dhe 26 bullgarë. Në total, në tanë qarkun e Shkodres janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë”, thekson ish-deputetja socialiste.

