Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, ku kanë shqyrtuar në detaje hapat dhe obligimet që i paraprijnë zbatimit të Agjendës Reformuese në fushën e drejtësisë.
Sipas Salit, në takim është diskutuar për dinamikën e realizimit të reformave, koordinimin ndërinstitucional dhe përmbushjen në afat të detyrimeve që janë në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim avancimin e procesit të integrimit evropian.
Ai theksoi se Agjenda Reformuese mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë, duke nënvizuar se angazhimi i përbashkët i institucioneve është vendimtar për zbatimin me sukses të reformave në interes të qytetarëve dhe për përshpejtimin e rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian. (INA)


