MSH pa fushatë të re për nxitjen e vaksinimit
13 tetori është hera e fundit kur Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u paraqit në publik. Pas kësaj ai u pa në fushatën e LSDM-së, duke bërë tifo për kandidatët. Ka tre javë që nuk ka thirrur konferencë për media në lidhje me situatën epidemiologjike me Covid-19. Në daljen e tij të fundit e pranoi se ka rënë interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër virusit korona, por ai nuk konkretizoi se cilat janë hapat që do t’i ndërmarrë në vazhdim për ta përmirësuar nivelin e imunizimit. Shtoi se do të vazhdojë me një fushatë tjetër për t’i sensibilizuar qytetarët por një fushatë ende nuk është shpallur.
“Ajo çfarë kemi vërejtur është se çdo fillim, qoftë ai i fushatës ose rekomandim i ndonjë mase, e rrit numrin e aplikimeve për vaksinim. Në këtë aspekt përveç kësaj mase që do të propozohet, me siguri do të azhurnojmë përsëri apo do të potencojmë një nga fushatat që tani po përgatitet. Sepse besoj se po bëhet gjithnjë më e qartë edhe për qytetarët, se cili është efekti nga vaksinimi. E kjo është se edhe aty ku ka të infektuar, spitalet nuk ngarkohen”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe (13.10.2021).
Fushata paraprake “Vaksinohu, për momente të lumtura” e cila kushtoi 300 mijë euro u shpall më 23 gusht nga kryemistri Zaev dhe ministri Filipçe, por ulja e intensitetit të vaksinimit nënkupton që nuk ka dhënë ndonjë efekt të madh. Qendrat e mëdha sportive ku realizohej vaksinimi masiv janë mbyllur. Pasi u mbyll Salla e madhe A1 në Boris Trajkovski, para një muaji i mbylli dyert edhe salla e vogël e kësaj qendre. Megjithëse të gjithë janë të vetëdijshëm se për ta kaluar sfidën me pandeminë duhet të arrihet imuniteti kolektiv, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë plan se si t’i nxisë qytetarët në këtë drejtim. Ja se si u përgjigjën në pyetjen e TV21 nga ky dikaster, të pyetur për ndonjë strategji të mundshme.
“Ministria e Shëndetësisë që në fillim të procesit të vaksinimit stimulon dhe motivon interesimin e qytetarëve për vaksinim. Nëpërmjet të gjitha platformave që kemi si institucion, përmes ministrit të Shëndetësisë Dr.Venko Filipçe, si dhe përmes motivuesve kyç – punonjësit shëndetësorë, vazhdimisht theksojmë se sa në fakt ndikon vaksinimi në përhapjen e mëtejshme të virusit. Mjetet kryesore janë analizat që ne ofrojmë në baza ditore dhe javore, në lidhje me qytetarët e diagnostikuar me Covid që janë të vaksinuar, si dhe analiza e vdekshmërisë midis pacientëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar me virusin Covid-19”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Mjekët paralajmërojnë një valë të re më të ashpër në këtë muaj, e cila mund të tejkalohet vetëm me vaksinim. Sipas përllogaritjeve që TV21 bëri, mbi të dhënat që shpall Ministria e Shëndetësisë, në periudhën nga një korriku deri më një shtator me dy doza janë imunizuar 316.023 qytetarë, ndërkaq nga 1 shtatori deri me 1 nëntor 236.815 qytetarë, që i bie rreth 80 mijë qytetarë më pak se sa dy muajt paraprakë.
1 KORRIK – Janë aplikuar gjithsej 557.400 doza vaksinash, janë rivaksinuar 223.014 qytetarë
1 SHTATOR – Janë aplikuar gjithsej 1.267.666 doza vaksinash, 539.037 qytetarë janë rivaksinuar
1 NËNTOR – Janë aplikuar gjithsej 1.611.685 doza vaksinash, janë rivaksinuar 775.825 qytetarë.