VLEN ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se me veprimet e tij po e zhvlerëson politikën shqiptare dhe po punon kundër interesave të shqiptarëve në vend.

Në një komunikatë për media, VLEN akuzon se udhëheqësia e BDI-së po bllokon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, dhe se ky veprim është në kundërshtim me një nga parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas VLEN-it, drejtuesit e BDI-së mbajnë përgjegjësi për mënyrën e qeverisjes gjatë 22 viteve të fundit në koalicion me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në, duke i akuzuar për keqqeverisje, korrupsion dhe dështim në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve.

Sipas VLEN, qytetarët shqiptarë nuk dëshirojnë më të përfaqësohen nga, siç thuhet në reagim, “njerëz që kanë keqpërdorur dhe përvetësuar fonde të Bashkimit Evropian” dhe që nuk kanë arritur të zgjidhin probleme themelore, si furnizimi me ujë të pijshëm.

" "

VLEN më tej akuzon se një grup i vogël rreth kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, po kërkon afrim politik me VMRO-DPMNE-në për të shmangur, sipas tyre, përgjegjësinë penale për veprimet gjatë qeverisjeve të kaluara.

Në reagim thuhet gjithashtu se përpjekjet për të paraqitur situatën sikur të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm për faktin se BDI nuk është pjesë e qeverisë, përbëjnë, sipas VLEN-it, një strategji politike në shërbim të interesave të së djathtës maqedonase dhe dëmtojnë kauzën shqiptare.

sqShqip