Sot është një ditë me simbolikë të veçantë. Në ditët kur Çairi po jeton me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, nuk mund të kishte moment më të përshtatshëm për të përuruar rrugën që, nga sot, do të mbajë emrin e Avni Mulës.
Ky emërtim është një nderim për një personalitet që i dha identitet dhe prestigj kulturës shqiptare. Avni Mula ishte një prej figurave themeluese të muzikës profesioniste shqiptare, një artist që me talentin, punën dhe vizionin e tij e ngriti artin shqiptar në një nivel të ri dhe la pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë edhe sot.
Kultura dhe arti kanë qenë ndër shtyllat që e kanë mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar ndër breza. Prandaj, emri i Avni Mulës do të jetë tashmë pjesë e Çairit, si një nderim i përhershëm për një artist që me veprën e tij i dha identitet dhe prestigj kulturës shqiptare.
Dhe sigurisht, është kënaqësi e veçantë që në këtë ceremoni kemi mes nesh edhe sopranon me famë botërore, bijën e Avniut, zonjën Inva Mula. Një artiste e madhe që me punën dhe sukseset e saj, ajo vazhdon ta çojë përpara trashëgiminë artistike të familjes Mula dhe ta përfaqësojë me dinjitet kulturën shqiptare në skenat më prestigjioze të botës. Prania e saj sot i jep këtij përurimi një vlerë dhe domethënie edhe më të veçantë.

