Projekti strategjik i interkoneksionit 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po avancon sipas dinamikës së paraparë, ndërsa ndërtimi i nënstacionit 400 kV në Ohër ka hyrë në fazën përfundimtare. Kështu njoftoi drejtori i MEPSO-së, Burim Latifi, pas një inspektimi në terren të punimeve së bashku me ekipin e kompanisë, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas Latifit, pas përfundimit të instalimit të pajisjeve primare dhe sekondare në nënstacionin e Ohrit, kanë nisur testimet operative dhe funksionale, të cilat përbëjnë hapin e fundit para vënies në funksion të këtij objekti energjetik.
Ai bëri të ditur se paralelisht po zhvillohen edhe punimet në linjën e transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan. Aktualisht ka nisur montimi i shtyllave të para, disa prej të cilave tashmë janë ngritur, ndërsa puna vazhdon me intensitet edhe në lokacionet e tjera përgjatë trasesë.
“Dinamika e deritanishme e punimeve dëshmon përkushtimin për realizimin e projektit brenda afateve të planifikuara. Me përfundimin e këtij interkoneksioni do të krijohet një lidhje e re strategjike energjetike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke forcuar sigurinë e rrjetit të transmetimit, rritur kapacitetet ndërkufitare dhe kontribuar në integrimin më të fuqishëm të tregut rajonal të energjisë”, theksoi Latifi.
Interkoneksioni 400 kV Maqedoni e Veriut–Shqipëri konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin energjetik, i cili pritet të përmirësojë ndërlidhjen e sistemeve të transmetimit të dy vendeve dhe të rrisë stabilitetin dhe fleksibilitetin e rrjetit rajonal të energjisë.

