Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, priti dje në një takim Nicole Varns, e cila ushtron detyrën e shefes së Misionit në Ambasadën Amerikane. Gjatë bisedës, të dy palët theksuan vijimin e partneritetit të qëndrueshëm mes Ministrisë dhe Shteteve të Bashkuara, si një aleat kyç në procesin e reformimit të sektorit të drejtësisë, bëri të ditur Ministria e Drejtësisë.
Diskutimet u përqendruan në çështjet kryesore të agjendës së Ministrisë, duke nxjerrë në pah veçanërisht transformimin e sistemit gjyqësor përmes digjitalizimit, përparimin e sundimit të ligjit, axhendën legjislative dhe përballjen me fenomenin e korrupsionit. Në këtë kontekst, ministri Shasivari shprehu kërkesën për të lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe angazhimin e ekspertizës amerikane në të ardhmen, me fokus të veçantë në përmirësimin e ligjeve penale.
Përtej njoftimit zyrtar, një pjesë e madhe e opinionit, ndoshta me shumë të drejtë ka parashtruar pyetjen se pse prej tetë ministrave të sapozgjedhur, ud. ambasadorja amerikane të parin takoi Shasivarin?, shkruan portali lideri.mk. Dhe edhe me më shumë të drejtë dhe me vend është si duket edhe përgjigja se në këtë mënyrë i dërgohet porosi strukturave të korruptuara, se SHBA përkrahë një “ofensivë” të shpejtë dhe të ashpër ndaj tyre.
Ndërkohë partia në pushtet VLEN vlerëson se forcimi i sundimit të ligjit, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe modernizimi i sistemit të drejtësisë janë prioritete të qarta të kësaj qeverie.
Bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë do të vazhdojë të sjellë reforma konkrete në interes të qytetarëve dhe perspektivës evropiane të vendit, transmeton Lideri.mk.
Në vijë të kësaj, takimi i djeshëm i ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari dhe u.d ambasadores së SHBA-së në Shkup, Nicole Varns përcolli mesazhin për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i jep Maqedonisë së Veriut në proceset reformuese, ku u theksua njëherësh se partneriteti me aleatët strategjik mbetet shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e institucioneve të fuqishme dhe të pavarura.
Ndërsa, VLEN po ndërton institucione të forta dhe kërkon mbështetje amerikane nga ekspertë juridik të SHBA-së në fushën e legjislacionit penal, BDI nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për dy dekada të kapjes së drejtësisë, klientelizmit dhe korrupsionit që e lanë vendin pa besim në institucione.
VLEN po ndërton mekanizma konkretë, forcon institucionet dhe po rikthen besimin e qytetarëve te drejtësia.
Koha kur drejtësia shërbente si mburojë për të paprekshmit ka përfunduar.
Me VLEN dhe me mbështetjen e partnerëve strategjik si SHBA-ja e BE-ja, drejtësia do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin./Lideri.mk

