Kuvendi informoi se seanca e sotme plenare u përcill me një numër te madh reagimesh procedurale, të cilat ndikuan në rrjedhën e punës dhe në zhvillimin e debatit parlamentar.

Reagimet procedurale u përdorën nga disa deputetë të bllokut opozitar shqiptar në lidhje me procesin e votimit për Ligjin për përfaqësim të drejtë, ndërsa deputetë nga blloku opozitar maqedonas reaguan për shkak të fyerjeve dhe gjuhës së papërshtatshme të përdorur gjatë diskutimeve.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM‑së, Oliver Spasovski, apeloi për respektimin e Kodit Etik dhe sjellje dinjitoze, duke theksuar se gjuha fyese dhe incidentet verbale mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të rrezikojnë mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.

Spasovski informoi se, pas incidenteve të mëparshme në seancën për rikonstruimin e Qeverisë, fyerjet kanë vazhduar edhe në Komisionin për financim dhe buxhet, ku deputetja Lidija Petkovska ka përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj deputetes Jovana Trençevska. Siç transmeton portali Lideri.mk, mediat shkruajnë se me këtë rast ajo ka përdorë fjalën “kokoshka” (pulë).

" "

Kuvendi rikujton se:

respektimi i Kodit Etik,
ruajtja e dinjitetit të institucionit,
komunikimi korrekt ndërmjet deputetëve,
janë detyrime të domosdoshme për funksionimin demokratik të institucionit dhe për garantimin e një debati parlamentar konstruktiv.

Kuvendi vlerëson se prania e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, në seancën e sotme do të kishte kontribuar në qetësimin e situatës dhe në menaxhimin më efikas të tensioneve të krijuara.

Institucioni mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit, respektimit të procedurave dhe garantimit të një mjedisi të sigurt dhe profesional për të gjithë deputetët./Lideri.mk

sqShqip