Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Transport, Amire Kadri-Jakupi, vlerësoi se donacioni i Bashkimit Evropian shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të institucionit dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.
Ajo theksoi se Inspektorati, falë këtij donacioni, fiton një dimension të ri operacional, duke u pajisur me automjete të reja dhe mjete speciale që do të mundësojnë inspektime më efikase, mbikëqyrje më të mirë në terren dhe rritje të sigurisë në komunikacion dhe në infrastrukturën rrugore.
Kadri-Jakupi shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian dhe ambasadorin e BE-së, Mihalis Rokas, për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e këtij projekti, duke theksuar se donacioni nuk përfshin vetëm automjete, por edhe një sistem modern për monitorimin e tyre, si dhe trajnime profesionale për inspektorët.
“Ky është një investim në të ardhmen. Krahas ndërtimit të rrugëve ekspres dhe autostradave, është po aq e rëndësishme të investojmë në sigurinë, kontrollin dhe mbikëqyrjen e tyre. Vetëm kështu investimet në infrastrukturë do të kenë vlerë afatgjatë dhe do të garantojnë siguri më të madhe për qytetarët”, deklaroi drejtoresha Amire Kadri-Jakupi.

