Kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër pas deklaratës së një ministreje të Qeverisë së Serbisë, e cila në një intervistë deklaroi se “po të ishte Sllobodan Millosheviqi, etnikisht do ta kishte pastruar Kosovën në vitin 1998”.

Përmes një reagimi publik, Mexhiti thekson se deklarata përbën glorifikim të politikave gjenocidale të regjimit të Millosheviqit dhe se fakti që ministrja nuk është shkarkuar, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është distancuar nga kryeministri apo presidenti serb, është një sinjal shqetësues për rajonin.

“Kur një zyrtar shtetëror në vitin 2026 shpreh publikisht keqardhje që Kosova nuk është spastruar etnikisht nga shqiptarët dhe për këtë nuk përballet me asnjë pasojë, lind pyetja se çfarë ka ndryshuar realisht në mendësinë nacional-shoviniste serbe”, shkruan Mexhiti.

Ai shton se deklarata të tilla rrëzojnë pretendimet për pajtim dhe bashkëjetesë në Ballkan, duke argumentuar se glorifikimi i figurës së Sllobodan Millosheviqit dhe relativizimi i krimeve të luftës nuk mund të kalojnë pa reagim.

" "

Mexhiti kritikon edhe nismën “Open Balkan”, për të cilën thotë se është shfrytëzuar si platformë për rehabilitimin politik dhe ideologjik të Serbisë, në vend që të kontribuojë në pajtim dhe integrim rajonal.

Në reagimin e tij ai rikujton se gjatë luftës në Kosovë, si pasojë e fushatës së forcave serbe nën urdhrat e Millosheviqit, u vranë mbi 10 mijë civilë shqiptarë, mijëra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa mijëra gra e vajza u dhunuan seksualisht.

Në fund, Mexhiti thekson se Kosova sot është shtet i pavarur, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht, duke shtuar se “kumbarët e Open Ballkanit dhe avokatët e Aleksandar Vuçiqit po heshtin, ndërsa me heshtjen e tyre po aprovojnë deklarata të tilla skandaloze”.

sqShqip