Rikonstruksioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk do të kufizohet vetëm në kabinetin kryesor ministror. Burime qeveritare bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve INA se procesi pritet të shtrihet fuqishëm edhe te zëvendësministrat, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve shtetërore.

Sipas informacioneve, në disa ministri do të emërohen zëvendësministra të rinj si pasojë e ndërrimeve të resoreve midis partnerëve të koalicionit, ndërsa në dikastere të tjera priten zëvendësime direkte të zëvendësministrave aktualë, pas një vlerësimi të hollësishëm të performancës së tyre në detyrë.

Paralelisht, në proces skanimi dhe shqyrtimi janë edhe një numër i madh drejtorësh e zëvendësdrejtorësh në institucionet publike. Synimi i vetëm i këtyre ndryshimeve drastike është rritja e efikasitetit dhe vendosja e kuadrove me performancë më të lartë që sigurojnë rezultate të shpejta.

Kryeministri Hristijan Mickoski e ka bërë tashmë të qartë dhe ka paralajmëruar se rikonstruksioni nuk do të ndalet vetëm në kabinetin qeveritar, por do të prekë pa mëshirë edhe nivelet drejtuese të institucioneve shtetërore.

" "

Edhe nga koalicioni VLEN nuk i përjashtojnë ndryshimet në nivel të zëvendësministrave dhe drejtorive, duke lënë të hapur mundësinë për një rifreskim të kuadrove aty ku nuk ka rezultate.(INA)

sqShqip