Rritet interesimi i qytetarëve në Maqedoni për vaksinim me dozën e tretë
Vaksinimi për dozën e tretë ka stërmbushur poliklinikat e kryeqytetit. Interesimi i qytetarëve për imunizim anti kovid ka shkaktuar mbingarkesë të personelit mjekësor. Në Poliklinikën “Jane Sandanski” në Aerodrom të Shkupit përveç banorëve të zonës kishte edhe qytetarë të fshatrave për rreth. Kjo për arsye se në Draçevë doza e tretë këtyre ditëve nuk jepej.
Drejtori i Poliklinikës, i cili udhëheqë edhe pikën e vaksinimit në Draçevë, pas debatit me pacientët se mund të vaksinohen edhe atje, merr sqarim nga mjekët atje se ka pasur ndërprerje të përkohshme.
“Vaksinimi po zhvillohet disi më qetë duke krahasuar më ditët që lamë pas, ku kishim turma të shumta. Tani interesimi më i madh është për dozën e tretë të pacientëve që para 3 muajsh kanë marrë vaksinat Sputnik dhe Sinovac.”, tha Bore Radev, Drejtor i Poliklinikës “Jane Sandanski” – Shkup.
Nga ana tjetër qytetarët thonë se është e rrezikshme të tubohen në hapësira të brendshme gjatë pritjes për vaksinim, sidomos të moshuarit.
Sipas raportit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 4,797 qytetarë prej të cilëve 734 me dozën e parë, 876 janë rivaksinuar dhe 3,187 të tjerë kanë marrë dozën e tretë. Duke përfshirë 28 tetorin mbi 1,6 milion doza vaksinash janë dhënë në gjithë vendin ose mbi 804 mijë qytetarë të prej tyre 774 mijë të rivaksinuar dhe mbi 27 mijë kanë marrë dozën e tretë.