Partia “Levica” ka njoftuar se do të mbledhë nesër partitë opozitare në takim për të harmonizuar qëndrimet e tyre mbi Kodin Zgjedhor, me qëllim futjen e një zone të vetme zgjedhore.
“Kodi Zgjedhor është një nga ligjet më të rëndësishme në çdo demokraci dhe pikërisht për këtë arsye është e kotë që shumica qeverisëse të tërhiqet nga procesi dhe t’ia kalojë përgjegjësinë e vet opozitës. DPMNE e lejoi gjarprin të futej në proces – vendosi vija të kuqe rreth votës së diasporës, e ngarkoi të gjithë procesin me një temë që nuk ishte objekt i formimit të Grupit të Punës dhe më pas u tërhoq mënjanë, duke e lënë opozitën të zgjidhë nyjën që vetë qeveria krijoi. Qeveria nuk mund të jetë propozuese e një ligji, të ketë shumicën parlamentare dhe në të njëjtën kohë të veprojë si një vëzhguese e thjeshtë e procesit”, ka njoftuar Levica, shkruan portali Lideri.mk.
“Megjithatë, Levica nuk do të lejojë që kjo situatë të përdoret si një justifikim i ri për dështimin e reformave të nevojshme zgjedhore. Prandaj, të hënën po iniciojmë një takim koordinues të të gjitha subjekteve politike të opozitës, në të cilin do të bëhet një përpjekje për të harmonizuar qëndrimet dhe për të formuluar një propozim të përbashkët që do t’i paraqitet shumicës qeverisëse.
Për Levicën, thelbi i këtyre bisedimeve është një njësi zgjedhore – një reformë që më në fund do të sigurojë vlerë të barabartë për çdo votë, do të zvogëlojë votat e humbura dhe do t’i mundësojë Parlamentit të pasqyrojë më realisht vullnetin e qytetarëve.
Qëllimi ynë nuk është një tjetër takim politik pa rezultat, por një përpjekje serioze që opozita të qëndrojë pas reformës më të madhe demokratike të sistemit zgjedhor – një njësi zgjedhore. Nëse ka vullnet të mirë, e hëna mund të jetë fillimi i një procesi që më në fund do të vendosë barazinë e çdo vote.
Levica do të bëjë gjithçka për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët rreth një njësie zgjedhore”, ka shtuar Levica në kumtesën e saj.
Portali Lideri.mk merr vesh se të vogla janë gjasat që iniciativën për takim me Levicën ta pranojnë partitë shqiptare në opozitë, BDI, ASH dhe LSH. Ata përjashtojnë çdo mundësi për takim në nivel liderësh, por theksojnë se të vogla janë gjasat që iniciativën për këtë takim ta pranojnë edhe në nivel më të ulët partiak./Lideri.mk

