Lajmet e reja

Tërmet i fuqishëm në Shqipëri, raportohen dëmtimet e para

Si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit të ndjera mëngjesin e sotëm në Shqipëri janë raportuar dëmtimet e para të shtëpive në bashkinë e Bulqizës.

Punonjës të njësisë administrative Shupenzë, në një deklaratë raportuan se deri më tani janë lajmëruar për dëmtimin e 4 shtëpive, kryesisht ne fshatrat Homesh, Shtushaj, Kovashic, ndërsa kanë nisur punën në terren për verifikimin e shkallës së dëmtimeve.

“Pranë njësisë administrative Shupenzë sot erdhën 4 lajmërime që ka dëmtime të lehta ose të rënda në 4 shtëpi të ndryshme në 4 fshatra të ndryshme. Sot bashkë me administratorin dhe dy shoqet e grupit tonë po dalim për verifikim për të parë dëmtimet. Do të shkojmë në të 4 shtëpitë për të parë gjendjet, pastaj do të parashtrojmë mendimet tona dhe do të shikojmë për ndihmën që do të japim nga ana financiare. Kjo është shtëpia e parë që erdhëm ta verifikojmë. Ishalla nuk do të kemi dëmtime të mëtejshme”, shprehet një punonjëse e njësisë administrative Shupenzë, që shtrihet në veri të bashkisë Bulqizë.

Ndërkohë grupet e verifikimit te njësive te tjera si Zerqan, Gjorice, Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Fushe Bulqize po vijojnë punën ne terren për te parë më nga afër situatën.

Një banor i kësaj zone tregon për Top Channel ambientet e brendshme të shtëpisë, ndërsa duken krisjet në muret e shtëpisë, ndërsa i zoti i shtëpisë shprehet: “Kjo është pjesa e dëmtuar e shtëpisë, është e pabanueshme. Shikojeni vetë, ja! Për mua është e pabanueshme!”.