Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, u ka dëshiruar mikëpritje të ngrohtë mërgimtarëve.

Ja postimi i saj i plotë:

Me zemër të hapur dhe me shumë dashuri, ju uroj mirëseardhje në shtëpi, në Preshevën tonë. Mirë se ktheheni në vendlindjen tuaj, aty ku ju presin familjet, miqtë, kujtimet më të bukura dhe rrënjët që na lidhin përgjithmonë me njëri-tjetrin.

Prania juaj e mbush Preshevën me buzëqeshje, me jetë dhe me besimin se, pavarësisht largësive, mbetemi një familje e madhe që na bashkon e njëjta gjuhë, i njëjti flamur dhe e njëjta dashuri për vendin tonë.

" "

Çdo ardhje e juaja është gëzim për Preshevën. Ju i jepni jetë rrugëve tona, ngrohtësi shtëpive tona dhe shpresë të ardhmes sonë. Edhe pse larg atdheut, ju kurrë nuk u larguat nga zemra e Preshevës. Me punën, përkushtimin dhe dashurinë tuaj, keni qenë gjithmonë mbështetja më e fortë e familjeve tuaja dhe një forcë e çmuar për vendlindjen.

Le ta shfrytëzojmë këtë verë për t’u bashkuar edhe më shumë, për të forcuar lidhjet tona, për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Në emër të Komunës së Preshevës, Ju falënderoj për gjithçka që bëni për vendlindjen. Ju uroj pushime të mbara, shëndet, lumturi dhe çaste të paharrueshme pranë më të dashurve tuaj.

Mirë se erdhët në Preshevë. Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj!

sqShqip