Maqedoni

Dimitrov: Është shumë më e shtrenjtë për BE-në të injorojë Ballkanin sesa të angazhohet seriozisht dhe të na ndihmojë ta bëjmë atë evropian

Nuk ka probleme të veçanta në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, tha zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në një intervistë për televizionin “H1” me bazë në Beograd.

Ai po ashtu tha se edhe pse vendet e rajonit flasin për nevojën e bashkëpunimit, konfliktet e ndërsjella herë pas here dalin në sipërfaqe, tha korrespondenti i AIM-s nga Beogradi.

“Nuk do të thosha se ka ndonjë problem të veçantë. Ka mirëkuptim, mendoj se kemi synime pak a shumë të përbashkëta. Ne kemi një histori të përbashkët, të kaluar, duam të kemi një të ardhme të përbashkët evropiane. Serbia ka marrë atë rrugë, ka filluar negociatat për anëtarësim, për fat të keq ne ende presim dhe trokasim në atë derë, edhe pse kemi qenë ndër të parët në rajon që e kemi filluar atë proces”, tha Dimitrov.

Ai përkujtoi se kanë kaluar 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, para Kroacisë.

“Kroacia këtë vit feston tetë vjetorin e anëtarësimit dhe ne ende nuk e kemi filluar atë proces. Siç e dimë, pengesa kryesore ishte Greqia dhe çështja e emrit dhe ne e zgjidhëm atë. Dhe në momentin kur kishim shumë nevojë për sukses, tani, për fat të keq, një tjetër fqinj, Bullgaria, po na krijon një pengesë të re. Së bashku me Beogradin jemi në iniciativën “Open Balkan”. Mendoj se kjo hap mundësi shtesë për bashkëpunim. Që të kemi kontakte dhe takime të shpeshta”, tha Dimitrov.

Ai shtoi se Ballkani, megjithëse ndonjëherë na pëlqen dhe mendojmë se, nuk është qendra e universit dhe thotë se Evropa ka probleme të tjera, të brendshme, probleme me vendimmarrjen dhe funksionimin.

Dimitrov beson se “është shumë më e shtrenjtë për Evropën ose BE-në të injorojë Ballkanin sesa të angazhohet seriozisht dhe të na ndihmojë ta bëjmë atë evropian – evropian në aspektin e një demokracie të shëndetshme, drejtësisë, mediave të lira, të drejtave të njeriut, standardeve evropiane”. Le ta sjellim Evropën tek ne. Sepse nëse nuk e bëjmë këtë, të rinjtë do ta kërkojnë të ardhmen e tyre diku jashtë vendit.