Kosovë

Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryesuesi i KPK-së takohet me deputetët

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim anëtarët e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për “Përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe ligjit për “Procedurën Përmbarimore”, i cili përbëhej nga deputetët Driton Selmanaj dhe Blerta Deliu, grup ky, që është formuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Fillimisht, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, njoftoi anëtarët e këtij grupi punues me aktivitetet që janë ndërmarrë për zbatimin e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, njofton Klankosova.tv

Me këtë rast, me theks të veçantë, u diskutua pasqyrimi i sfidave gjatë zbatimit të këtij ligji, në mënyrë që ato të adresohen në kuadër të raportit që do të hartohet nga grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për “Përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe ligjit për “Procedurën Përmbarimore”.