Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë Bekim Sali, gjatë qëndrimit të sotëm në Dibër, duke u përgjigjur pyetjes në lidhje me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, tha se qëndrimi dhe mendimi i VLEN-it është i njohur, se është një proces në të cilin shteti hyn në një fazë tjetër të funksionimit dhe se gjatë zgjedhjeve të parakohshme do të ketë një qeveri teknike, që për partinë është një ngecje në funksionimin e institucioneve të shtetit.

Megjithatë, shtoi, “gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në ato zgjedhje e kemi thënë disa herë, se jemi të gatshëm nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, por teknikisht, organizativisht, konsiderojmë se këto janë zgjedhje që duhet të mbahen në prill të vitit 2028”.

“Konsideroj se shteti duhet të ecë përpara, të zhvillohet dhe jo të përmbushë dëshirat e opozitës, e cila për fat të keq do t’i humbasë zgjedhjet e ardhshme, dhe konsideroj se ne si qeveri duhet të jemi përgjegjës ndaj qytetarëve dhe të përmbushim të gjitha projektet që kemi premtuar. Në emër të zhvillimit, shohim projekte konkrete që po zbatohen, këtu dhe sot marrëveshja e nënshkruar për rrugën Shkup – Bllacë, dhe shumë projekte që janë në fazën e nënshkrimit ose me punime ndërtimi në zhvillim e sipër”, u përgjigj Sali në pyetjen e MIA-s.

Ai sot qëndroi në Dibër, u takua me kryetarin e komunës Fisnik Mela, dhe më pas së bashku u njohën me punimet ndërtimore në ndërtimin e bulevardit në vendbanimin “Venec 2”.

" "
sqShqip