Mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Durrësit u zhvillua veprimtaria poetike “Deti dhe poezia”, e organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “ABC Poetike” nga Shkupi, me kryetar z. Vullnet Sadiku. Aktiviteti, i cili këtë vit u mbajt për të shtatin vit radhazi, është shndërruar në një traditë kulturore që mbledh së bashku poetë dhe dashamirës të fjalës së shkruar.
Në këtë ngjarje morën pjesë poetë, shkrimtarë dhe artdashës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, të cilët interpretuan krijimet e tyre të përzgjedhura. Atmosfera u gjallërua nga larmia e vargjeve dhe emocionet që ato përcollën.
Aktiviteti u moderua nga znj. Elmira Rama, ndërsa fjalën përshëndetëse të hapjes e mbajti themeluesi i shoqatës, z. Sadri Jakupi. Në përmbyllje, z. Ramadan Sadiku theksoi rëndësinë e ruajtjes së origjinalitetit të poezive dhe rolin që kjo veprimtari ka në promovimin e krijimtarisë letrare mbarëshqiptare.
Veprimtaria “Deti dhe poezia” konfirmoi edhe një herë se ngjarje të tilla kulturore mbeten ura komunikimi shpirtëror, që lidhin krijuesit dhe lexuesit përtej kufijve gjeografikë, duke afirmuar kulturën dhe gjuhën shqipe.